Muja: Mbështetja për kultivuesit e patates do të rritet, synojmë 4 mijë hektarë të mbjella

Prishtinë | 08 Tet 2026 | 13:33 | Nga Floresa Shala

Në Sheshin e Qytetit në Vushtrri është mbajtur Festivali i Patates, i organizuar nga Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me OJQ-në “Artnatyra20”, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të festivalit, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se “Dita e Patates” synon promovimin e një prej produkteve me traditë të gjatë në këtë komunë.

Idrizi tha se Vushtrria është qytet tradicional i prodhimit dhe përpunimit të patates, ndërsa theksoi se synimi është që festivali në të ardhmen të shndërrohet në një festival ndërkombëtar.

“Jo rastësisht është ky festival i organizuar dhe në qytetin e Vushtrrisë sepse kjo kulturë, ky produkt, ky ushqim ka një traditë shumë të gjatë në qytetin e Vushtrrisë. Është qytet tradicional i prodhimit, por tanimë edhe i përpunimit të patates që që përshëndes edhe përfaqësuesin e VIPA Chips-it që e kemi këtu dhe është bereqeti, është buka e cila me dekada, me shekuj i ka ushqyer qytetarët dhe banorët e Vushtrrisë. Është produkt i cilësisë së lartë, me rendimente shumë të larta. Jemi lider i kultivimit dhe përpunimit të patates jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.” shtoi Idrizi.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Armend Muja, tha se mbështetja për fermerët dhe veçanërisht për kultivuesit e patates do të vazhdojë të rritet. Muja theksoi se këtë vit fermerët e kësaj ane do të përfitojnë rreth 100 euro shtesë për sipërfaqe.

“Mbështetja ndaj bujkut dhe kulturave bujqësore, sidomos ato që mbillen me patate, edhe këtë vit ka qenë prioritet i Ministrisë së Bujqësisë. Të gjithë bujqit e kësaj ane këtë vit do të pranojnë përpagesa afërsisht 100 euro shtesë në sipërfaqe, dhe këtu më lejoni t’ju thëm para jush që kjo mbështetje do të vazhdojë të rritet për kultura të rëndësisë strategjike si patatja. Kosova ka aktualisht rreth 3,500 hektarë patate të mbjellë çdo vit, por qëllimi i Ministrisë së Bujqësisë është që ajo të rritet në 4,000 hektarë deri në fund të mandatit. Por derisa ne përqendrohemi te hektarët, e rëndësishme është të përqendrohemi dhe tek produktiviteti. Afërsisht 20,000 tonë nxirren për hektar, por qëllimet tona janë që kjo të rritet në 30,000 tonë deri në fund të mandatit.” shtoi Muja.

Ai tha se përveç rritjes së sipërfaqeve, fokus duhet të jetë edhe rritja e produktivitetit, përmes edukimit profesional, certifikimit të farës, mirëmbajtjes së sistemeve të ujitjes dhe analizave të tokës.

“E dytë është certifikimi i farës. Fara duhet të jetë e certifikuar. E tretë, por që është e rëndësishme: mirëmbajtja e sistemeve të ujitjes në Vushtrri. Për ministrinë kjo është e rëndësishme. Dhe e katërt: njohuria. Duhet të vazhdojmë ta përsosim njohurinë, analizën e tokës përmes studimeve të Institutit Bujqësor, dhe Ministria e Bujqësisë do të jetë pranë jush. Më lejoni t’ju theksoj edhe një hap tjetër të rëndësishëm. Vushtrria ka fatin që përpunuesi është po ashtu këtu. Por ajo ku ne duhet të përqendrohemi është që të rrisim edhe kapacitetet e depoizimit, rritjes së ruajtjes dhe cilësisë gjatë magazinimit të patates. Dhe për këtë ne jemi të gatshëm të mbështesim secilin dhe secilën që ka ambicie të tilla. Dhe ne jemi me fat po ashtu që kemi një kompani me renomé e cila e përpunon pataten këtu—është një kompani me renomé jo vetëm në nivel të Kosovës, por edhe në nivel rajonal. Ministria e Bujqësisë do të jetë e gatshme që të ndihmojë edhe procesuesin, në mënyrë që të arrijnë standardet më të larta dhe të zënë edhe tregje të tjera që Kosova ka ende potencial për t’i zëvendësuar importet.” shtoi Muja.

Muja theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e kapaciteteve të depozitimit dhe ruajtjes së patates, duke thënë se ministria është e gatshme të mbështesë fermerët dhe përpunuesit.

“Më lejoni t’ju përkushtohem pranë jush që ne do të jemi këtu, do ta mbështesim komunën dhe do të jemi çdo vit, çdo javë e çdo muaj për ta mbështetur një nga kulturat më të rëndësishme: patatja e Vushtrrisë. T’ia mbajmë Vushtrrisë këtë renomé! Dhe mbi të gjitha më lejoni t’ju thëm që Vushtrria, Rahoveci janë dy komuna dhe Istogu janë tri komunat model sa i përket zhvillimit bujqësor. Qëllimi ynë është që këto të rriten dhe Vushtrria po ashtu ta ketë vendin e veçantë në pedestalin e zhvillimit të bujqësisë në Kosovë.” shtoi ai .

Ndërsa drejtori i Bujqësisë në Vushtrri, Besim Shyti, tha se Festivali i Patates është një festë për fermerët, traditën dhe punën e tyre.

“Patatja është bërë një nga simbolet e bujqësisë sonë dhe ky festival është një mënyrë e bukur për ta vlerësuar punën e fermerëve dhe për të promovuar Vushtrrinë edhe më tej. Dua të shpreh një falënderim të veçantë për organizatorët për të gjithë punën dhe përkushtimin e tyre. Faleminderit që krijoni një ngjarje që na bashkon, na gëzon dhe na bën krenarë. Si drejtor i Bujqësisë, ju siguroj se do të vazhdojmë të jemi pranë fermerëve tanë, sepse besojmë se kjo mbështetje e fermerëve, fortësohet familja, zhvillohet me ekonomi dhe rritet e gjithë Vushtrria. Le të shijojmë këto tri ditë të bukur, së bashku le të shijojmë të tri ditët së bashku me shumë gëzim, me traditë, me miqësi dhe me krenari për atë që prodhojmë me duart tona.“ shtoi Shyti.

Ndërsa kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha se “Dita e Patates” në Vushtrri duhet të shndërrohet në një traditë të përvitshme. Shahini tha se patatja është një prej produkteve që e identifikon Vushtrrinë, ndërsa përmendi edhe kompaninë vendore “VIPA” si një prej bizneseve që ka kontribuar në promovimin e këtij produkti.

“Dita e patates në Vushtrri është hera e parë që po mbahet si festival, prandaj i nderuari kryetar, këtë traditë mos e harroni. Vazhdoni dhe bëjeni tradicionale, sepse në këtë formë e mbështetni pataten që është brend i Vushtrrisë. Që është brend përmes një kompanie të fuqishme VIPA, e cila përmes VIPA-s njihet më shumë edhe tash edhe Vushtrria. Prandaj një duartrokitje për kompaninë VIPA e cila vërtetë është prodhim vendor 100%. Dhe ne e vlerësojmë se Kosova ka kapacitete të mëdha prodhuese, ka biznesmenë të fuqishëm, kemi brande të fuqishme në Kosovë dhe këto brende të fuqishme tash po e marrin tregun edhe në Bashkimin Evropian dhe në Amerikën e lartë . Kosova nuk mund të prodhojë teknikë aviacioni, por mund të prodhojë patate, mund të prodhojë produkte të tjera të ndryshme dhe kjo do të jetë zëvendësim i importit. Importet në këtë vend mund të shkojnë rreth 8 miliardë, bëjnë rekord. 8 miliardë euro eksport, parave të gatshme të cilat janë në Kosovë më të shtrenjtat në Bashkimin Evropian dhe në Ballkan. Për të ndalur këtë, qeveria qendrore duhet ta ketë prioritet prodhimin vendor. Ta ketë mbështetjen e biznesit vendor, pavarësisht a është prodhues a shërbues. Për të ndalur importet, për të rritur eksportet duhet mbështetja institucionale e autoriteteve lokale dhe qendrore për të gjitha nivelet dhe të gjitha sektorët. Dua të besoj se qeveria aktuale do ta ketë fokus prodhimin vendor, ekonominë, punësimin, zhvillimin dhe eksportin. Kjo do të ndihmonte shumë të gjithë ata njerëz të cilët po i humbin shpresat për me jetuar në Kosovë. Rreth 250 mijë qytetarë të Kosovës kanë ikur në këto 6 vjetët e fundit. Ata ishin konsumatorë të produkteve vendore, ata ishin taksapagues, por njëkohesisht ishin edhe votues. Prandaj nataliteti edhe po na bie. Për me na, për ta mbajtur aktiv konsumin, për ta mbajtur aktiv natalitetin, qeveria qendrore dhe lokale duhet të mbështesë çdo iniciativë të fermerit.” u shpreh Shahini.

Të ngjashme