Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm dhe strategjikë të Kosovës, duke theksuar se potenciali për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve ende nuk është shfrytëzuar në tërësi, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Kosova ka mundësi të ofrojë më shumë në sektorë si teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK), industria e mbrojtjes dhe fusha të tjera, ndërsa veçoi edhe lehtësitë fiskale për investitorët e huaj.
“Siç është thënë disa herë më parë, Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm dhe strategjikë, jo vetëm në aspektin tregtar. Për këtë arsye, ne shohim se potenciali që kemi deri më tani nuk është shfrytëzuar në masën e mundësive që ekzistojnë dhe as në atë që ne mund t’i ofrojmë njëri-tjetrit”, tha Kusari-Lila.
Ministrja përmendi edhe Dua Lipën dhe Rita Orën si dy prej “eksporteve” më të njohura të Kosovës, ndërsa theksoi se vendi ka potencial të madh edhe në sektorë të tjerë.
“Natyrisht, përveç faktit që kemi eksportuar dy yje botërorë të muzikës, Dua Lipën dhe Rita Orën, gjë që besoj se asnjë ambasador nuk do ta kundërshtonte, unë do të thoja se ky është eksporti ynë më i vlefshëm. Por ne kemi shumë më tepër për të ofruar, veçanërisht në fushën e TIK-ut, industrisë së mbrojtjes dhe në disa sektorë të tjerë”, deklaroi ajo.
Kusari-Lila theksoi se një prej faktorëve që mund ta bëjë Kosovën më tërheqëse për investitorët është edhe politika fiskale. Sipas saj, përveç tatimit 10 për qind mbi të ardhurat e korporatave, në Kosovë nuk aplikohet tatim mbi dividendët.
“Aktualisht, përveç tatimit mbi të ardhurat e korporatave, i cili është 10 për qind me normë të sheshtë, Kosova nuk ka tatim mbi dividendët. Dhe mendoj se për një vend dhe një korporatë të konsoliduar, ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Nëse jeni një shoqëri aksionare që investon në Kosovë dhe gjeneron dividendë, nuk paguani asnjë tatim mbi to”, tha ministrja.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se përgatitjet për Prishtinën 2030 dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare përbëjnë një mundësi të rëndësishme për transformimin e kryeqytetit dhe krijimin e një qyteti që do t’u shërbejë qytetarëve edhe pas përfundimit të garave.
Rama tha se vendimet që merren sot do të kenë ndikim për brezat e ardhshëm, ndërsa theksoi se koha deri në vitin 2030 është e kufizuar.
“Prishtina 2030 është një mundësi për ta formësuar kryeqytetin tonë për brezat që do të vijnë. Dhe përgjegjësia jonë shkon përtej mandateve tona dhe na përfshin të gjithëve. Vendimet që marrim sot do ta formësojnë qytetin për fëmijët tanë dhe për nipërit e mbesat tona. Lojërat Mesdhetare na japin një afat të qartë: viti 2030. Ndërsa brezat e ardhshëm na japin një qëllim për ta përmbushur këtë afat. Pra, kemi më pak se katër vjet kohë”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, synimi është që investimet e lidhura me Lojërat Mesdhetare të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke krijuar hapësira më të mira publike, mundësi për sport dhe lëvizje më të lehtë në qytet.
“Ne duam një qytet ku fëmijët mund ta zbulojnë talentin e tyre, ku njerëzit mund të lëvizin më lehtë, ku hapësirat publike i bashkojnë komunitetet dhe ku investimet krijojnë mundësi që zgjasin në kohë. Dhe si kryetar i komunës dhe si arkitekt, suksesin e mas përmes jetës së njerëzve që e përdorin qytetin. Një fëmijë që shkon i sigurt në stërvitje, një prind që arrin më shpejt në shtëpi, një sportist i ri që gjen një hapësirë ku mund të zhvillohet – kjo është ajo që duhet të mundësojnë këto lojëra”, është shprehur ai.
