Intensifikohen punimet në rrugën Bukovik–Dobërçan, pritet asfaltimi i 2.85 kilometrave

Prishtinë | 08 Tet 2026 | 21:02 | Nga Ekonomia Online

Punimet në rrugën Bukovik–Dobërçan në Gjilan po zhvillohen me intensitet të shtuar, ndërsa ekipet në terren janë në fazën e përgatitjeve të fundit para asfaltimit të 2.85 kilometrave të kësaj rruge.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se projekti ka vlerë prej 370 mijë eurosh dhe financohet tërësisht nga kjo ministri, ndërsa realizohet në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit me Komunën e Gjilanit.

“Punimet në rrugën Bukovik–Dobërçan po zhvillohen me dinamikë të shtuar, ndërsa aktualisht janë duke u realizuar përgatitjet e fundit në terren për asfaltimin e 2.85 kilometrave të kësaj rruge”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, përmes këtij investimi synohet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe rritja e sigurisë për pjesëmarrësit në komunikacion.

“Ky projekt, me vlerë prej 370 mijë eurosh, financohet tërësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe realizohet në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit me Komunën e Gjilanit. Përmes këtij investimi synohet përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rritja e sigurisë në komunikacion dhe krijimi i kushteve më të mira të qarkullimit për banorët e kësaj zone”, thuhet në njoftim.

Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve infrastrukturore në vend.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë vendin”, thuhet më tej.

Të ngjashme