Punëtorët e NPB-së protestojnë më 12 tetor për mosmarrjen e pagave

Prishtinë | 09 Tet 2026 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë njoftuar se më 12 tetor, në orën 10:00, do të protestojnë para objektit të Gjykatës Supreme për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mosrealizimin e pagave, raporton Ekonomia Online.

“Ju njoftojmë se më 12 tetor 2026, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) do të organizojnë një protestë publike para objektit të Gjykatës Supreme, për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mosrealizimin e pagave”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit, punëtorët tashmë po hyjnë në muajin e tretë pa paga, duke u përballur me vështirësi të mëdha financiare dhe me pamundësi për të përmbushur obligimet e tyre personale dhe familjare.

“Kjo situatë është krijuar pas një vendimi të gjykatës, i cili ka rezultuar me bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes, duke pamundësuar realizimin e pagave për punëtorët. Përmes kësaj proteste, punëtorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë dhe urgjentë për zgjidhjen e kësaj situate dhe për mundësimin e pagesës së pagave”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme