Samiti i Paqes dhe Demokracisë, Rashiti: Pa bashkëpunimin e VV-së dhe PDK-së nuk do të ketë progres në dialog

Prishtinë | 16 Tet 2026 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, i cili këtë vit mbahet me temën “Epoka e Entropisë”, në panelin e parë u diskutua për dialogun Kosovë-Serbi, rolin e Bashkimit Evropian dhe sfidat politike që po pengojnë përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve. Naim Rashiti, Goran Svilanović dhe Miodrag Miki Marinković vlerësuan se përparimi në këtë proces varet nga përgjegjësia e udhëheqjeve politike, zbatimi i marrëveshjeve dhe perspektiva e besueshme e integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, Naim Rashiti, tha se bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës mund të krijojë një mundësi të re për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Ai theksoi se, pas një dekade përplasjesh dhe akuzash të ndërsjella për marrëveshjet e vitit 2013 dhe të vitit 2023, është e domosdoshme që dy subjektet kryesore politike të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara.

“Diçka e mirë ka ndodhur në Kosovë, që ka munguar për një kohë shumë të gjatë: një bashkëpunim midis Vetëvendosjes dhe PDK-së është ura e parë e këtij lloji që është krijuar përmes zgjedhjes së presidentit. Ne kemi një president shumë kredibil në zyrë, i cili do të jetë ndryshe në këtë peizazh politik. Ne e pamë këtë kohë më parë, por duam ta ndërtojmë këtë më tej. Një qeveri e udhëhequr nga PDK-ja bëri marrëveshjen e vitit 2013 dhe një qeveri e udhëhequr nga Vetëvendosje bëri marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023. Gjatë këtyre dhjetë viteve, ata janë përleshur me njëri-tjetrin dhe kanë fajësuar njëri-tjetrin për përmbajtjen e marrëveshjeve që askush prej tyre nuk e pëlqeu vërtet. Ne shpresojmë dhe do të ushtrojmë trysni të madhe që këto dy palë të gjejnë një mënyrë për t’i zbatuar të dyja marrëveshjet, të vitit 2013 dhe 2023. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Derisa t’i shohim këta dy aktorë kryesorë politikë duke bashkëpunuar, nuk do të shohim asnjë progres të madh në dialog, as ndonjë progres të madh në proceset e tjera të politikave të shtetndërtimit dhe në agjendat përkatëse”, tha Rashiti.

Ai theksoi se përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve nuk duhet të mbetet vetëm te Kosova, por edhe Bashkimi Evropian duhet të mbajë përgjegjësi për të parandaluar zvarritjen e procesit për dekada të tjera. Sipas tij, shoqëria civile do të vazhdojë të ushtrojë trysni kryesisht në nivel vendor, në mënyrë që institucionet e Kosovës të përmbushin detyrimet e tyre, ndërsa BE-ja të garantojë një proces më të përgjegjshëm dhe më efektiv.

“Për këto dy marrëveshje, në këtë dekadë, Kosova do të duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin, por ne do të kërkojmë që BE-ja të mbajë më shumë përgjegjësi për të parandaluar që të shkojmë deri në vitin 2033 ose 2043. Ne nuk mund të lejojmë që marrëveshjet të zvarriten nga një dekadë në tjetrën, prandaj presioni ynë dhe roli i shoqërisë civile do të fokusohen kryesisht në nivel vendor. Kosova duhet të kujdeset për dy segmente të këtij procesi: së pari, rendin kushtetues në kuptimin e të drejtave të komuniteteve, i cili përbën një komponent të rëndësishëm të dialogut të Brukselit dhe kërkon aranzhime shtesë për të drejtat e komuniteteve në këtë vend”, u shpreh ai.

Rashiti nënvizoi se rendi kushtetues përfshin jo vetëm të drejtat e komuniteteve, por edhe mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndarjen e kompetencave dhe fuqitë e qeverisjes komunale. Ai kërkoi që qeveria të krijojë një mekanizëm të nivelit të lartë për të mbikëqyrur zbatimin e garancive kushtetuese dhe të marrëveshjeve të arritura në dialog.

“Kur flas për rendin kushtetues, ka dy elemente në tërësinë e tij: mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushtetit (checks and balances), për të cilët Kosova është unike në raport me pjesën tjetër të rajonit, dhe të drejtat e komuniteteve. Ne shpesh i adresojmë të drejtat e komuniteteve në Kosovë duke ruajtur kontrollet dhe balancat, ndarjen e pushteteve, kompetencat dhe fuqitë e qeverisjes komunale, përveç kapitujve bazë për të drejtat e komuniteteve. Këtu hyjnë edhe elementet që vijnë nga dialogu, duke përfshirë marrëveshjet. Ne do të kërkojmë, dhe po e kërkojmë edhe në këtë moment, që qeveria të themelojë një zyrë të nivelit të lartë brenda qeverisë, me shpresë një koordinator, për t’u kujdesur për zbatimin e këtyre garancive kushtetuese dhe të dialogut të Brukselit”, deklaroi Rashiti.

Ndërkaq, diplomati dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanović, tha se nuk pret që ndryshimet politike në Beograd të sjellin automatikisht gatishmëri për trajtimin e çështjes së Kosovës. Sipas tij, në Serbi, angazhimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje shpesh perceptohet si tradhti politike, duke i shtyrë udhëheqësit që të shmangin vendimet e vështira.

“Nuk kam pritshmëri të mëdha se kushdo që do të jetë në detyrë nesër në Beograd do të hidhet në trajtimin e një çështjeje të vështirë. Trajtimi i Kosovës është, për këdo në Beograd, pavarësisht nga ngjyra politike, diçka që të bën të ndihesh sikur po heq dorë nga diçka. Unë thjesht po ndaj një ndjenjë, nuk po them se kjo është e vërtetë, por kështu është. Kjo është ajo që njerëzit shohin: ju jeni tradhtar nëse filloni të merreni me këtë. Kështu që, më mirë mos bëni asgjë. Dhe kjo është ajo që kemi parë në disa vitet e fundit”, tha Svilanović.

Ai vlerësoi se një prej arsyeve kryesore për mungesën e angazhimit të Beogradit është zbehja e besimit në perspektivën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kur udhëheqësit dhe qytetarët nuk besojnë më se anëtarësimi është një mundësi reale, zvogëlohet edhe gatishmëria për të paguar koston politike të zgjidhjes së çështjeve të vështira, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Në momentin që Beogradi kuptoi se anëtarësimi nuk do të ndodhë, ata ndaluan së foluri për Kosovën. Pra, pse do të bënin ndonjë gjë? Pse do të paguanin një çmim? Pse trajtimi i kësaj çështjeje u pa si pagesë e një çmimi për diçka më të madhe dhe më të mirë? Kjo është arsyeja pse po i referohesha duke thënë: shiko, nëse je i bllokuar me Beogradin kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, atëherë je shumë i bllokuar, më besoni. Për sa kohë që njerëzit në Serbi nuk fillojnë të besojnë sërish në anëtarësim, dhe për momentin ata nuk e bëjnë këtë, situata do të mbetet e vështirë. Unë e vlerësoj plotësisht atë që ndan Marko me ne. Ka një përpjekje thelbësore nga komisioneri dhe Komisioni për të dërguar mesazhin se ne po merremi me rregulloret, po tentojmë ta bëjmë procesin të mundur, po tentojmë t’i kapërcejmë çështjet dypalëshe dhe t’i kufizojmë votat. Por ju e dini sa njerëz po e ndjekin vërtet këtë në Beograd? Për fat të keq, po ju tregoj sinqerisht: situata është më e keqe sesa mendoni”, deklaroi Svilanović.

Miodrag Miki Marinković, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Veprim Afirmativ Social, tha se qeveria e udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka përdorur strategji të komunikimit publik për të paraqitur gatishmërinë për integrim evropian, ndërkohë që, sipas tij, zhvillimet në terren kanë kontribuar në dobësimin e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura.

“Qeveria e udhëhequr nga Vuçiqi ka përdorur strategji të PR-it për të komunikuar gatishmërinë për integrim në BE, ndërkohë që në terren ka lehtësuar procese që çojnë në erozionin e demokracisë dhe të institucioneve. Përmbushja e kushteve bazë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si demokratizimi dhe krijimi i institucioneve të pavarura, do të bënte që udhëheqja e Serbisë të humbiste pushtetin. Kjo e bën procesin e integrimit një paradoks dhe një mashtrim”, u shpreh Marinković.

Ai tha se situata në Kosovë është ndryshe, duke vlerësuar se institucionet e qëndrueshme krijojnë kushte për përparim në procesin e integrimit evropian. Megjithatë, sipas tij, mbetet sfidë sigurimi i mbështetjes së pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Në Kosovë situata është ndryshe, ku institucionet e qëndrueshme të krijuara së fundmi ofrojnë kushtet bazë që Kosova të angazhohet në këtë proces gjatë katër viteve të ardhshme. Kosova ka treguar sukses të madh në rreshtimin e saj gjeostrategjik dhe politik me vlerat e BE-së. Megjithatë, një sfidë tjetër për Kosovën mbetet sigurimi i mbështetjes nga pesë vendet mosnjohëse, të cilat kanë frikë nga krijimi i një precedenti të ngjashëm me shkëputjen e Serbisë në vitin 1999. Këto pesë vende kërkojnë një lloj pëlqimi të heshtur nga Beogradi, ndërsa procesi i normalizimit dhe dialogu i lehtësuar nga BE-ja synojnë të harmonizojnë këto kushte dhe të sigurojnë njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, deklaroi Marinković.

Të ngjashme