Muhaxheri: PDK-ja mund të bashkëpunojë me VV-në për çështjen e çlirimtarëve, por pa e zbehur rolin opozitar

Prishtinë | 17 Tet 2026 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Analisti Arton Muhaxheri ka deklaruar se çdo afrim i mundshëm ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) duhet të kufizohet në çështjen e çlirimtarëve, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë nuk duhet ta dobësojë rolin opozitar të PDK-së.

Sipas Muhaxherit, PDK-ja vazhdon të mbledhë vota në frymën e themeluesve të saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, prandaj ai vlerëson se partia duhet ta vërë gjithë potencialin e saj politik dhe operacional në shërbim të kësaj kauze, me synimin që drejtësia të vihet në vend.

Ai ka theksuar se, në rast të një bashkëpunimi eventual me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e çlirimtarëve, PDK-ja duhet ta ruajë rolin e saj opozitar dhe të përmbushë premtimin për një opozitë më dinamike dhe proaktive.

“Kjo mbetet të shihet”, është shprehur Muhaxheri, duke lënë të hapur çështjen e mënyrës se si do të zhvillohet roli opozitar i PDK-së në raport me bashkëpunimet e mundshme politike.

Duke komentuar Ligjin për UÇK-në, analisti ka thënë se ai ka krijuar dilema në opinionin publik, ndërsa ka përmendur deputetin Përparim Gruda dhe avokatin Faton D. Fetahu si figura juridike që, sipas tij, po sqarojnë paqartësitë rreth këtij ligji.

Muhaxheri është shprehur i bindur se askush brenda PDK-së nuk do të mbështeste një nismë që do t’i dëmtonte çlirimtarët dhe, rrjedhimisht, Kosovën.

Ai ka vlerësuar se me Ligjin për UÇK-në është shënuar një lëvizje pas gjashtë vjetësh, duke e cilësuar këtë si suksesin e parë dhe duke shprehur shpresën se në të ardhmen e afërt do të ketë edhe rezultate të tjera.

Të ngjashme