“Tenda e errët” në Prishtinë, qytetarët ftohen të përjetojnë sfidat e personave të verbër

Prishtinë | 17 Tet 2026 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Organizata “YouCanDo” ka organizuar një aktivitet dyditor sot dhe neser, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me rastin e Javës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për sfidat me të cilat përballen personat e verbër në jetën e përditshme, raporton Ekonomia Online

Pjesë e aktivitetit është “Tenda e errët”, ku qytetarët kanë mundësi të përjetojnë simbolikisht verbërinë, duke vendosur syze të errëta dhe duke lëvizur me shkop të bardhë në një hapësirë me errësirë totale dhe pengesa të ndryshme.

Kryetari i organizatës “YouCanDo”, Jusuf Fazliu, tha se aktiviteti synon të rrisë vetëdijen e qytetarëve për vështirësitë me të cilat përballen personat e verbër, veçanërisht në aspektin e infrastrukturës.

Ai bëri të ditur se ditën e nesërme aktiviteti do të vazhdojë me shfaqjen e videove përmes një projektori, ku do të prezantohen arritjet e personave të verbër, por edhe sfidat që ata hasin në jetën e përditshme.

“Atëherë, sot dhe nesër organizata “YouCanDo” do të organizojë për ndër të javës ndërkombëtare të njeriut me shkop të bardhë aktivitet dyditor në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku kemi vendosur tendën e errët, ku do kenë mundësi qytetarët ta përjetojnë verbësinë në bazë të vendosjes së syzave të errëta edhe tendës të errët. Do të thotë që kjo do të jetë një aktivitet sensibilizues dhe menjëherë nesër do të vendosim edhe një projektor ku do t’i shfaqim përmes videove arritjet e personave të verbër edhe sfidat të cilat i kanë ata, sidomos në çështjet infrastrukturore”, tha ai.

Ndërkaq, drejtoresha e organizatës “YouCanDo”, Merita Hasani, tha se përmes “Tendës së errët” synohet që qytetarët të kuptojnë më nga afër vështirësitë e lëvizjes në kushte të mungesës së shikimit.

Hasani theksoi se aktiviteti është gjithashtu një thirrje për institucionet që të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas saj, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme dhe identifikimit të problemeve ndër vite, shumë prej tyre vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë tendën dhe të përjetojnë nga afër sfidat me të cilat përballen personat e verbër gjatë lëvizjes në Kosovë.

“Për ndër të Javës së Shkopit të Bardhë ne e bëjmë aktivitin tonë që emërohet si tenda e errët që i mundëson secilit qytetar me e përjetu verbërinë, vështirësi , sidomos ato në infrastrukturë duke mundësuar me lëviz me shkop të bardhë, por me pengesa në errësirë totale. Kjo është një thirrje jona e vazhdueshme për qytetarët që me u vëtëdijësu su dhe me i kuptuar problematikat e vazhdueshme për personat me aftësi të kufizuara. Përveç asaj edhe një thirrje e madhe ndaj institucioneve të cilat pak e hiq  nuk po bëjnë kurrgjë për këtë kategori. Përkundër thirrjeve të vazhdueshme dhe identifikimit të problemeve të caktuara, për të cilat ende nuk kemi zgjidhje tash e sa vite që e ushtrojmë këtë këtë aktivizëm. Shpresoj që gjithësecili qytetarë ka me pas mundësinë me ardhur edhe me përjetuar vetë se si është të jesh i verbër dhe të lëvizësh në Kosovë”, shtoi ajo.

Përmes këtij aktiviteti, organizata “YouCanDo” synon të promovojë vetëdijesimin shoqëror dhe të tërheqë vëmendjen e institucioneve ndaj nevojës për një mjedis më të qasshëm dhe gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.

Të ngjashme