Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Gazmend Selimit, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, në rastin e vrasjes së 22-vjeçarit Dardan Gashi në Lipjan.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 5 gusht 2022, në një lokal në Lipjan, ku nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë Dardan Gashi, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 nëntor 2024, rasti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarve dhe viktimës, si dhe të dëmtuarit J.G.
Prokuroria pretendon se Gazmend Selimi fillimisht e kishte goditur Dardan Gashin me grusht në fytyrë, ndërsa më pas Muhamet Gashi kishte shtënë me pistoletë në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave, Dardan Gashi ishte qëlluar në gjoks dhe kishte humbur jetën. Ndërkaq, J.G. kishte pësuar plagë të rënda në bark, ndërsa A.B. ishte plagosur lehtë në këmbë nga predha e armës së zjarrit, raporton IndeksOnline.