Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka zhvilluar takim pune me përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Thesarit, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, këshilltarë për krime ekonomike.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve në luftimin e krimeve ekonomike dhe financiare.
Gjatë takimit, palët diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në këtë fushë.
Me këtë rast, Fazliu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve amerikane, duke vlerësuar rëndësinë e asistencës teknike dhe profesionale për fuqizimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial të Kosovës.
Ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane në përpjekjet për forcimin e kapaciteteve institucionale në luftimin e krimit ekonomik dhe financiar.
Në përfundim të takimit, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, thuhet në komunikatë.