Kane bën histori në Champions, shënon, asiston dhe ekzekuton edhe një rivënie nga porta

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Bayern Munichut mahnit të gjithë me një veprim të pazakontë ndaj Arsenalit.

Harry Kane ishte një nga protagonistët kryesorë të barazimit 2-2 mes Bayern Munichut dhe Arsenalit, duke realizuar një gol, dhënë një asist dhe regjistruar një veprim të pazakontë që hyri në histori të Ligës së Kampionëve.

Në minutën e 21-të, pas një këndoreje të Arsenalit, sulmuesi anglez mori topin pranë portës së tij dhe ekzekutoi një rivënie nga porta, duke dërguar një pasim të gjatë drejt Alphonso Daviesit.

Ky veprim i papritur për një sulmues qendre pothuajse përfundoi me gol, por David Raya e ndali goditjen e Serge Gnabryt.

Rekord i pazakontë për sulmuesin anglez

Kane nuk u mjaftua me këtë veprim. Ai asistoi për golin e Daviesit dhe më pas fitoi penalltinë që e shndërroi vetë në gol, duke kaluar Bayernin në epërsi 2-1.

Sipas të dhënave të Optas, Kane u bë futbollisti i parë në historinë e Champions League, që nga sezoni 2003/04, i cili në të njëjtën ndeshje shënon gol, regjistron asist dhe ekzekuton një rivënie nga porta.

I pyetur pas ndeshjes për pasimin e tij të jashtëzakonshëm, anglezi u përgjigj me humor: “Për rivënien nga porta apo për asistimin?”

Henry dhe Gerrard e lavdërojnë

Paraqitja e Kane mori vlerësime të shumta. Legjenda franceze Thierry Henry u shpreh i mahnitur: “Nuk e kam parë kurrë një sulmues qendre të ekzekutojë një rivënie nga porta.”

Ndërsa Steven Gerrard shkoi edhe më larg, duke deklaruar: “Ai mund të jetë futbollisti më i mirë që ka pasur ndonjëherë Anglia.”

Edhe Declan Rice, mesfushori i Arsenalit që shënoi golin e barazimit 2-2, e vlerësoi lart paraqitjen e sulmuesit të Bayernit.

“Është koha e tij. Ai po bëhet gjithnjë e më i mirë me kalimin e moshës dhe sot ishte i jashtëzakonshëm”, deklaroi Rice. 

Të ngjashme