Gërvalla takon ambasadorin austriak, flasin për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin juridik

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe avancimin e reformave institucionale.

Gërvalla ka bërë të ditur përmes një postimi se gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe për agjendën e reformave në sistemin e drejtësisë.

Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi synon transformimin e sistemit, forcimin e integritetit institucional dhe garantimin e përgjegjësisë para ligjit.

“Reforma në drejtësi është agjendë e qartë për transformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, forcimin e integritetit institucional dhe garantimin e përgjegjësisë para ligjit”, ka shkruar Gërvalla.

Ministrja ka përmendur themelimin dhe funksionalizimin e Byrosë, jetësimin e procesit të Vetingut, avancimin e pakos së projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe finalizimin e legjislacionit civil si pjesë thelbësore të këtij procesi.

Sipas saj, këto angazhime synojnë ndërtimin e institucioneve më të forta dhe garantimin e llogaridhënies.

“Për të ndërtuar institucione më të forta, për të garantuar llogaridhënie reale dhe për të dëshmuar se askush, pavarësisht emrit, pozitës apo pushtetit, nuk qëndron mbi ligjin”, ka theksuar ajo.

Gërvalla ka bërë të ditur se në takim ka ngritur edhe rëndësinë e përfundimit të Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale.

Ajo ka vlerësuar se kjo marrëveshje do të përbënte një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike dhe transferimit të personave të dënuar.

Ministrja ka theksuar se Austria mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve i shërben forcimit të kapaciteteve shtetërore dhe konsolidimit të sundimit të ligjit.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona i shërben forcimit të kapaciteteve shtetërore, avancimit të reformave dhe konsolidimit të një sistemi drejtësie që garanton sundimin e ligjit, integritetin institucional dhe përgjegjësinë para ligjit”, ka shkruar Gërvalla.

Të ngjashme