Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbërie Nagavci, lidhur me debatin e zhvilluar një ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Zemaj i reagon Nagavcit: Faktet nuk janë gjuhë fyese, përgjegjësia për gjendjen në arsim nuk shmanget me deklarata

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se kritikat dhe faktet për gjendjen në shëndetësi nuk përbëjnë gjuhë fyese, por pasqyrojnë realitetin me të cilin po përballen qytetarët.
Ai ka renditur një sërë problemesh në sektorin e shëndetësisë, duke përmendur mungesën e barnave dhe materialeve shpenzuese, tenderët, listat e gjata të pritjes, rritjen e vdekshmërisë së foshnjave dhe largimin e mjekëve e infermierëve jashtë vendit.
Megjithatë, Zemaj ka drejtuar kritika edhe ndaj ish-ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, duke e akuzuar për keqmenaxhim në sektorin e arsimit.
Ai ka përmendur rezultatet e Kosovës në testin PISA dhe një varg çështjesh që lidhen me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Në reagimin e tij, Zemaj ka renditur disa raste që, sipas tij, janë raportuar në media dhe dokumente të institucioneve të Kosovës, përfshirë aktakuza lidhur me tenderë, parregullsi në subvencionimin e librave shkollorë, gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe kallëzime penale për tekstet shkollore.
Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe rastin Luarasi, si dhe çështjet që lidhen me Komunën e Kamenicës dhe Inspektoratin e Arsimit.
Zemaj ka thënë se këto çështje kërkojnë përgjegjësi politike dhe se, sipas tij, nuk mund të shmangen përmes deklaratave apo viktimizimit.
Deputeti i LDK-së ka theksuar se njihet si njëri ndër deputetët më bashkëpunues në Kuvend, duke bërë përjashtim për personat ndaj të cilëve, siç ka thënë, ka dyshime se në të kaluarën i kanë bërë keq vendit.














