Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, është shprehur pesimist se fitorja e Listës Studentore në Serbi do të sjellë ndryshim të qasjes së autoriteteve serbe ndaj çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Limani pesimist për ndryshimin e qasjes së Serbisë ndaj të zhdukurve, kërkon hapjen e arkivave
Në një intervistë për Ekonomia Online, Limani ka thënë se deri më tani nuk kanë parë ndonjë qëndrim të qartë të përfaqësuesve të kësaj liste për këtë çështje, ndërsa deklarimet e tyre lidhur me Kosovën nuk japin shumë shpresë për një ndryshim pozitiv.
Ai ka kërkuar që qeveria e re në Serbi të shkëputet nga politika e deritashme e autoriteteve të udhëhequra nga Aleksandar Vuçiqi dhe të përmbushë zotimet e vitit 2023, veçanërisht atë për qasje të palës kosovare në arkivat e forcave serbe, ku, sipas tij, gjenden informacione kyçe për lokacionet e personave të zhdukur.
“Përvoja jonë me qeverinë e kaluar ka qenë jashtëzakonisht pesimiste ose jo e mirë, për faktin se aspak nuk janë treguar kooperativë në çështjen e personave të zhdukur. Pavarësisht premtimeve që kanë dhënë nëpër forume, nëpër takime e kështu me radhë, megjithatë nuk ju kanë përmbajtur. Madje qeveria e kaluar ka shkuar deri në atë masë sa dhe i ka arrestuar ata të cilët evetualisht kanë ofruar informacione për personat e zhdukur. Sa i përket qeverisë e cila është në formim e sipër, ne në raport me çështjen e personave të zhdukur nuk kemi parë ndonjë prononcim të tyre, por të them të drejtën jemi goxha pesimistë për faktin, sepse i kemi parë deklarimet e tyre në raport me çështje të tjera që kanë bërë me Kosovën. Pra, megjithatë, mbetet të shihet cili është qëndrimi i tyre në raport me personat e zhdukur”, tha ai.
Limani ka theksuar se kërkesa kryesore e Kosovës ndaj qeverisë së re është ndryshimi i kursit politik dhe zbatimi i marrëveshjes së vitit 2023, përmes së cilës Serbia ishte zotuar se pala kosovare do të ketë qasje në arkivat e forcave të saj të sigurisë.
“Kërkesa parësore është që të ketë shkëputje nga qeveria e kaluar. Pra, të mos jetë destruktive, sikurse ka qenë politika e qeverisë së kaluar në raport me çështjen e personave të zhdukur. Në radhë të parë, t’i përmbahet asaj që kanë nënshkruar në vitin 2023, që pala kosovare do të ketë qasje në arkivat e forcave serbe, pra në policinë, ushtri e kështu me radhë, sepse aty gjendet faktikisht çelësi i zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur. Le të shpresojmë që do të ketë një lloj ndryshimi të kursit në raport me çështjen e personave të zhdukur, krahasuar me qeveritë e kaluara”, thotë ai për Ekonomia Online.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar ka vlerësuar se presioni ndërkombëtar është i domosdoshëm për të siguruar bashkëpunimin e Serbisë, pasi, sipas tij, kjo e fundit nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim konkret në mungesë të këtij presioni.
“Natyrisht, gjithmonë presioni ka dhënë rezultatet e veta. Serbia asnjëherë nuk ka ofruar ndonjë, të themi, ndonjë bashkëpunim konkret, kur nuk ka pasur presion prej faktorit ndërkombëtar. Pra, shpresojmë që në fund faktori ndërkombëtar ta përdorë autoritetin e vet, ta përdorë presionin, ta përdorë ndikimin e vet, në mënyrë që kjo çështje, që në radhë të parë është humane, që megjithatë shkon drejt zgjidhjes përfundimtare”, tha ai.
Limani ka bërë të ditur se në Kosovë aktualisht figurojnë 1 mijë e 555 persona të zhdukur.
Ai ka akuzuar autoritetet serbe për presion dhe kërcënime ndaj personave që mund të kenë informacione për fatin e të zhdukurve.
“Numri i personave të zhdukur aktualisht në Kosovë është 1.555, domethënë aktualisht ne kemi shifrën prej 1.555 persona të zhdukur. Mirëpo në Serbi ne nuk kemi, të themi, ndonjë shifër të saktë se sa mund të jenë të zhdukur, për faktin se kurrë nuk dihet atje sa ka të zhdukur. Autoritetet e Serbisë vazhdimisht i kanë kërcënuar personat të cilët kanë disponuar ndonjë informacion mbi persona të zhdukur. Ne i kemi ato thëniet, ato prononcimet e famshme të Daçiqit, të Vuçiqit e kështu me radhë, që nganjëherë edhe i kanë zhdukur edhe të gjallët që kanë ofruar informacione të tilla, por kemi disa prononcime të tyre, të cilët thonë, ne nuk dimë çka t’ju bëjmë amerikanëve, s’dimë çka t’ju bëjmë turqve apo shqiptarëve, po çka t’ju bëjmë serbëve, të cilët ofrojnë informacione për të zhdukur. Pra, pavarësisht atyre deklaratave të tyre boshe në raport me çështjen e personave të zhdukur, sikurse me plot çështje të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën, ata janë treguar mjaft destruktivë deri më tani. Urojmë dhe shpresojmë që ky destruktivitet të mos vazhdojë edhe gjatë qeverisë së re, megjithatë ato far simptomet e deritanishme, të themi njëmujore, nuk japin ndonjë shpresë se do të ketë ndonjë ndryshim pozitiv në këtë çështje”, deklaroi Limani.


















