Ekonomia Online
FUNDIT

Mustafa kritikon Qeverinë për menaxhimin e energjisë

Mustafa kritikon Qeverinë për menaxhimin e energjisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke thënë se një pjesë e konsiderueshme e problemeve me të cilat po përballet Kosova janë pasojë e planifikimit, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së dobët të kapaciteteve ekzistuese, raporton Ekonomia Online.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe përgatitjet e Qeverisë për sezonin e dimrit, duke rikujtuar se një task-forcë e ngjashme ishte formuar edhe në vitin 2021, kur ishte hartuar një raport me rekomandime, për zbatimin e të cilave, sipas tij, ende nuk ka përgjigje.

Mustafa ka kërkuar të dihet se çfarë ka ndodhur me raportin e vitit 2021 dhe cilat rekomandime të tij janë zbatuar, ndërsa ka kritikuar faktin se edhe pas disa vitesh masa kryesore e paralajmëruar nga Qeveria mbetet formimi i një task-force të re.

“Është e vërtetë se tregu ndërkombëtar i energjisë është përballur me zhvillime dhe sfida të shpeshta. Por para se të flasim për faktorët e jashtëm, duhet të flasim për përgjegjësitë tona të brendshme. Sepse një pjesë e konsiderueshme e problemeve me të cilat po përballet sektori i energjisë në Kosovë lidhet me planifikimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve tona ekzistuese. Pra sot, në vend se të flasim për kapacitete të reja, fatkeqësisht, tema kryesore na është kthyer te remontet e kapaciteteve ekzistuese, të cilat nuk po kryhen me sukses dhe po dështojnë njëra pas tjetrës. Së pari, duhet të ndalem te përgatitjet e qeverisë për këtë dimër. Në një paraqitje televizive, ministrja e Ekonomisë ka përmendur se si një nga masat kryesore për këtë dimër e ko formimin e një task force, ku do të përfshihen aktorët kryesorë të sektorit të energjisë. Një mekanizëm të ngjashëm ministre e pat krijuar edhe në vitin 2021; madje atëherë ishte përgatitur edhe një raport me rekomandime. Dhe sot pyetja është ku ka mbetur raporti i vitit 2021, cilat nga rekomandimet e tij janë zbatuar dhe cilat kanë mbetur vetëm në letër? Nëse pas gjithë kësaj kohe, zgjidhja jonë kryesore vazhdon të jetë krijimi i një task force tjetër, atëherë pyetja është çfarë kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve për ta bërë Kosovën më të përgatitur për dimra të vështirë? Dhe këtu shtohet një pyetje tjetër themelore: a kanë ndonjë arsye sot qytetarët e Kosovës me besuar se mund të mbështeten në planin e qeverisë për ta përballuar dimrin, apo mbetet vetëm të luten dhe të shpresojnë që këtë vit të kemi një dimër më të butë?”, tha Mustafa.

Deputeti i PDK-së ka kritikuar edhe menaxhimin e njësive prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke thënë se pas përfundimit të remonteve, disa prej tyre kanë pasur ndalesa të përsëritura të paplanifikuara.

Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti, njësia A4 ka pasur katër ndalesa të paplanifikuara, A5 tri, ndërsa B2 pesë ndalesa.

Ai ka paralajmëruar se këto ndërprerje kanë kosto të drejtpërdrejta për vendin, pasi mungesa e prodhimit vendor e detyron Kosovën të importojë energji me çmime më të larta, të cilat më pas reflektohen në faturat e konsumatorëve.

"Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë këtij viti, pas përfundimit të remonteve, njësia A4 ka pasur katër ndalesa të paplanifikuara, njësia A5 tre ndalesa, njësia B2 pesë ndalesa të paplanifikuara. Pra, as remontet janë gjithsej dymbëdhjetë ndalesa të paplanifikuara vetëm në këto tri njësi. Dhe këto ndalesa kanë kosto të drejtpërdrejta. Sa herë që njësitë tona nuk prodhojnë energji, Kosova detyrohet të importojë energji me çmime shumë më të larta sesa atë të prodhimit vendor, dhe në fund këto çmime më të larta u bartën konsumatorëve, qytetarëve tanë në faturat e tyre të energjisë”, shtoi Mustafa.

Të ngjashme