Në konferencën para ndeshjes Kosovë – Izrael trajneri i “dardanëve” Foda u paraqit para mediave bashkë me lojtarin Dion Gallapenin, raporton Ekonomia Online.
Foda:Jemi të gatshëm, mund të ketë edhe befasi pavarësisht mungesave

Foda foli për gatishmërinë e skuadrës, zhvillimin e seancës së fundit, mungesat në ekip si dhe mundësinë e ndonjë befasie dhe ftesën e ndonjë lojtari tjetër.
“Ne jemi të gatshëm për ndeshjen e nesërme. Sot do ta zhvillojmë stërvitjen e fundit, gjatë së cilës do të përgatitemi në aspektin taktik. Kemi disa mungesa, si Krasniqi dhe Dellova, por u besojmë të gjithë lojtarëve që kemi në dispozicion. Gjithashtu, mund të ketë edhe ndonjë befasi, pasi nuk përjashtohet mundësia që të ftohet edhe ndonjë lojtar tjetër”u përgjigj trajneri.
Ndërkohë Gallapeni tha se atmosfera në ekip është shumë e mirë. Lojtarët e rinj kanë sjellë pozitivitet dhe energji të re në grup dhe shpresojnë që këtë atmosferë të mirë ta përkthejnë në një rezultat pozitiv.
Ndërsa në pyetjet rreth mungesës së Ermal Krasniqit dhe se a do të jetë Edon Zhegrova titullar Foda tha se vendimet nuk varen nga fakti nëse dikush do të jetë i gatshëm apo do të pësoj ndonjë lëndim.
“Vendimet tona nuk varen nga fakti nëse dikush do të jetë i gatshëm apo do të pësojë ndonjë lëndim. Ne kemi ide dhe plane të qarta se si dëshirojmë të luajmë nesër dhe, në përputhje me këtë, do t’i marrim edhe vendimet tona. Sa i përket asaj se kush do të luajë nesër, këtë do ta shihni në ndeshje” u pergjigj trajneri.

















