Erërat e forta që kanë përfshirë Kosovën kanë shkaktuar dëme materiale edhe në komunën e Drenasit, raporton Ekonomia Online.
Dëmtohet kulmi i një objekti nga erërat e forta, komuna e Drenasit apelon qytetaret të ketë kujdes

Arton Hasani nga Zyra për Informim e kësaj komune ka bërë të ditur se një pjesë e kulmit të një objekti në ndërtim është dëmtuar nga erërat e forta dhe ka rënë mbi disa vetura.
“Si pasojë e erërave të forta, një pjesë e kulmit të objektit në ndërtim është dëmtuar dhe ka rënë mbi disa vetura, duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht, nuk kemi dëme në njerëz”, tha Hasani.
Ai ka njoftuar se ekipet emergjente janë në terren dhe po intervenojnë edhe në zona të tjera të komunës, përfshirë fshatin Nekoc.
“Ekipet janë në terren, jo vetëm këtu, por edhe në vende të tjera. Në terren janë inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit, Drejtoria e Emergjencave, zjarrfikësit dhe Policia”, shtoi.
Hasani ka bërë të ditur se komuna ka publikuar edhe një njoftim zyrtar, përmes të cilit u ka bërë thirrje qytetarëve që t'u shmangen zonave të rrezikshme.
“Për momentin, për shkak të erërave të forta, nuk mund të sigurojmë që të mos ketë dëme edhe në ndonjë vend tjetër”, ka theksuar Hasani.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, ai ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e territorit të komunës është e furnizuar me energji.
“Rreth 90 për qind e territorit të komunës së Drenasit është e mbuluar me energji elektrike. Mund të ketë ndërprerje në zonën ku ka ndodhur shembja e kulmit, deri në përfundimin e vlerësimit nga ekipet përkatëse”, potencoi ai.
Në fund, Hasani u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin qëndrimin pranë objekteve që paraqesin rrezik.
“Apeloj te qytetarët që të kenë kujdes, sidomos pranë objekteve që paraqesin rrezik, dhe t'u shmangen këtyre zonave derisa të qetësohen erërat”, ka apeluar Hasani.
Ndërkaq, sipas informatave të siguruara nga Ekonomia Online në këtë objekt janë bërë mbi ndërtim pa leje.
Për këtë rast në vitin 2018, Gjykata e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim shefin e atëhershëm të Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Halim Vrellaku.
Deri më tani, në Drenas nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet e evidentuara janë materiale.















