Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte, mbrojtja e të akuzuarve Besnik dhe Ilaz Salihu ka dhënë fjalën përfundimtare në seancën e fundit të rigjykimit për rastin e vrasjes së S.S., në vitin 2023 në Dumnicë të Podujevës.
Mbrojtja kërkon sërish lirimin e Ilaz Salihut në rastin e vrasjes në Dumnicë të Podujevës

Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Salihu, avokati Arlind Fetahu, ka dorëzuar fjalën përfundimtare me shkrim, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Salihu, avokati Bedri Abdullahu, ka thënë se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare.
“Duhet të theksohet se edhe pas përfundimit të dy veprimeve që kanë dalë nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit, konkretisht rikonstruksioni i pjesshëm i vendit të ngjarjes dhe marrja në pyetje e dy dëshmitarëve, nuk u vërtetua se i mbrojturi im, Ilaz Salihu, i ka premtuar kujtdo se do të ndihmojë në fshehjen e provave të kryerjes së veprës penale”, ka thënë avokati Abdullahu.
Ai ka shtuar se nuk është vërtetuar me asnjë provë se Ilaz Salihu, në çfarëdo forme, e ka këshilluar Besnik Salihun apo dikë tjetër që të asgjësojë rrobat ose të fshehë mjetet e përdorura për kryerjen e veprës penale.
Sipas tij, këto rrethana kërkojnë që gjykata ndaj Ilaz Salihut të nxjerrë sërish aktgjykim lirues.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi, e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa ka bërë të ditur se aktgjykimi do të shpallet në një ditë tjetër.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shkurt 2026, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut, duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për vrasjen e S.S. dhe armëmbajtje pa leje, pasi veprën penale nga “Vrasje e rëndë” e kishte rikualifikuar në “Vrasje”. Ndërsa, vëllai i tij, Ilaz Salihu, ishte liruar nga akuza.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, me vendimin e 23 qershorit 2026, e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme të Komunës së Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari, në mënyrë dinake dhe të papritur, i ishte afruar viktimës me qëllim që t’ia merrte jetën.
Në aktakuzë thuhet se Besnik Salihu kishte shtënë dy herë me armë zjarri në kokën e S.S., një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive trunore. Si pasojë e plagëve të marra, S.S. kishte vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari ishte larguar nga aty.
Me këto veprime, Besnik Salihu akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).















