Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar hyrjen në Kosovë të dy ngarkesave me gjithsej 12 mijë e 268 kilogramë produkte ushqimore, të importuara nga kompania “VIZIONI M.Z.I.I” SH.P.K., me seli në Preoc të Graçanicës.
AUV ndalon hyrjen e mbi 12 tonë produkte ushqimore të importuara nga Maqedonia e Veriu

Produktet, të prodhuara nga fabrika AD MLEKARA TETOVO në Maqedoninë e Veriut, janë ndaluar në Pikën e Kontrollit Kufitar në Han të Elezit dhe është urdhëruar kthimi i tyre në vendin e origjinës.
Sipas AUV-së, refuzimi i importit është bërë në bazë të vendimit të datës 6 nëntor 2026, përmes të cilit është ndaluar importi i produkteve nga kjo fabrikë dhe ajo është larguar nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport të produkteve ushqimore në Kosovë.
Ky vendim është marrë pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore dhe problemeve me higjienën gjatë prodhimit. Ndër arsyet e ndalimit janë edhe rezultatet e pakënaqshme laboratorike në ngarkesat e mëparshme, ku është evidentuar prania e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar.
Ngarkesa e parë, në sasi prej 7 mijë e 368 kilogramësh, përmbante produkte të markave Natura Delikates, Duble Cream Masterfood, Extra Delikates Aksion dhe Kravjo Sirenje.
Ndërkaq, ngarkesa e dytë, me 4 mijë e 900 kilogramë produkte, përmbante Natura Sharplaninska dhe Cream Extra Masterfood.
Për të dyja ngarkesat, inspektori veterinar kufitar ka nxjerrë vendime zyrtare për refuzimin e importit dhe kthimin e produkteve në Maqedoninë e Veriut.
AUV-i ka bërë të ditur se asnjëra nga këto ngarkesa nuk është lejuar të hyjë në tregun e Kosovës.
Po ashtu, AUV-i ka njoftuar se do të vazhdojë zbatimin e ndalesës së importit nga ky prodhues, si dhe kontrollet për verifikimin e gjurmueshmërisë së produkteve të importuara më parë, me qëllim identifikimin e produkteve eventualisht jokonforme që mund të gjenden ende në treg.
















