Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ilir Kërçeli, janë përplasur në Kuvend lidhur me importin e energjisë elektrike, prodhimin e KEK-ut dhe përgjegjësinë e Qeverisë për gjendjen në sektorin energjetik, raporton Ekonomia Online.
Përplasje pozitë-opozitë në Kuvend për çështjen e energjisë

Mustafa ka thënë se Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për shkak të rritjes së importit, duke theksuar se KEK-u është ndërmarrje publike dhe se prodhimi i tij nuk po i përmbush kapacitetet e pritura.
"Zoti Kërçeli po thotë se KEDS-i nuk është i qeverisë, ama KEK-u është, KEK-u është i qeverisë. Po kur po rrit KEDS-u në import? Po rritet, por KEK-u nuk po prodhon aq sa duhet të prodhojë dhe diferencën e kompenson me import. Dhe këtu shtrohet pyetja: Pse po dështon KEK-u?Dhe këtu ju nuk mundeni me i ikë përgjegjësisë, nuk mund të thirreni në zhvillimin e trendëve të jashtëm kur flitet për kapacitetet ekzistuese të KEK-ut. Po ku ne jemi duke bërë investime? I keni marrë rezultatet e atyre investimeve? Jeni duke prodhuar aq, e bile edhe më pak sesa që është prodhuar para shumë vjetësh?Ku janë ato investimet e juaja? Pse po dështojnë blloqet njëri pas tjetrit pas remonteve? E pyeta edhe ministren, por nuk u përgjigj. Secili që përmenda, tre blloqe kanë ndalje njëri pas tjetrit të paplanifikuara pas remonteve që u ndodhën. Shtrohet pyetja: Për kë po bëhen ato remonte?Ku është ajo e para që bën kuptim remontja, kur blloku dështon menjëherë pas remontit? Edhe gjatë kësaj periudhe kur blloku po dështon pas remontit, KEDS-i dhe qytetari prapë po i kthehet tregtarëve të energjisë që kanë lulëzuar në qeverisjen e juaj. Kështu që, mos u mbështetni, mos i ikni përgjegjësisë për sa i përket KEDS-it. Do të thotë, zoti Kërçeli, keni ardhur për shtet me fjalën 'nacionalizëm të KEK-ut', me gjashtë vjet që jeni për shtet, për herë të parë e dëgjoj. Kush po ju ndalë bre? Po numrat i keni? Niseni, silleni në Kuvend! Po ke ardhur për shtet? Unë fola tani për nacionalizëm të KEK-ut, sot e dëgjova për herë të parë prej jush. Vazhdoni, sillni në Kuvend çfarë keni me sjellë, edhe kemi me dhënë përgjigje", tha Mustafa.
Në kundërpërgjigje, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka thënë se edhe në rastet kur KEK-u prodhon energji elektrike në kapacitetet e tij, Kosova vazhdon të ketë nevojë për import.
"Koleg i nderuar Mustafa, si ekonomist unë e pres që ju e dini se edhe kur KEK-u prodhon rrymë në kapacitetet që i ka të gjitha, Kosova importon rrymë. Nuk jemi tu bë debat me inatin, por debat me të vërteta. Hajde të sillem kështu, një debat me të vërteta, po shkruhen në parlament, do me thënë. Po ju thoni qytetarëve: ka ra blloku e po duhet me importu! Ti e din që edhe kur prodhon KEK-u, duhet me importu", tha Kërçeli.
Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, në kundërreplikë ndaj Kërçelit, ka përmendur shitjen e KEDS-it dhe ka ironizuar me ndryshimet e tij politike.
"Nuk po jam shumë e sigurt, në atë kohë kur është shitë KEDS-i, a ke qenë edhe ti në atë fotografi me ish-presidentin Hashim Thaçi, se dihet që i ke ndërruar liderët qysh ka ndërruar puna, kjo nuk vlen për të tjerët", theksoi Ymeri.
















