Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetë të LDK-së dhe Aleancës, ka iniciuar kërkesën për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.
PDK kërkon shkarkimin e Neime Binaku-Isufit, Mustafa: Ka dyshime për shkelje ligjore në Autoritetin e Konkurrencës

Mustafa, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, ka thënë se kërkesa për shkarkim vjen si rezultat i parregullsive të pretenduara në këtë institucion.
Sipas tij, arsyet që kanë shtyrë deputetët drejt kësaj nisme përfshijnë dyshimet për shkelje ligjore, moszbatimin e vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, përfshirjen në aktivitete politike të ndaluara me ligj, si dhe mungesën e llogaridhënies para Komisionit parlamentar.
Mustafa ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se përmes votave të tyre kanë penguar vazhdimisht futjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës së Komisionit për Ekonomi.
Ai ka theksuar se mbikëqyrja dhe garantimi i funksionimit të ligjshëm të Autoritetit të Konkurrencës janë përgjegjësi e Kuvendit dhe e të gjithë deputetëve.














