Ekonomia Online
FUNDIT

Hoti: Qeveria Kurti është kaos institucional, kemi ministra që nuk e dinë as ku janë, as çfarë bëjnë

Hoti: Qeveria Kurti është kaos institucional, kemi ministra që nuk e dinë as ku janë, as çfarë bëjnë

Ish-kryeministri i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë në EURO n’T7, ka thënë se është hera e parë në historinë e Kosovës që, edhe pse kemi Kuvend dhe Qeveri, buxheti aprovohet pas afatit ligjor dhe se për këtë partisë në pushtet nuk i bëhet vonë.

Edhe pse Qeveria e vendit, sipas tij, është në dijeni se buxheti duhet të aprovohet para datës 31 tetor, ajo ka vendosur ta shkelë ligjin dhe Kushtetutën, sepse për të kjo tashmë është bërë normë.

Deputeti Hoti ka folur edhe për mungesën e realizimit të investimeve kapitale, ku pothuajse në asnjë vit nuk është kaluar shifra prej 30 për qind, duke përfshirë këtu edhe pagesat e shumta si pasojë e humbjes së rasteve gjyqësore.

Viti 2016 rezulton të jetë viti me realizimin më të madh sa u përket investimeve kapitale. Sipas Hotit, kjo ka ndodhur gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, qeveri kjo që, sipas tij, ishte më efikasja që ka pasur vendi ndonjëherë.

Hoti e ka cilësuar qeverisjen e sotme si kaotike dhe, sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse nuk ka realizim të investimeve kapitale.

“Këtu është kaos institucional, këtu ka ministra që nuk e dinë as ku janë nëpër ato ministri, sepse nuk ka kuptim të qëndrosh në zyrë dhe të mos e realizosh buxhetin që e ke në dispozicion. Nëse i merr këto pesë vitet e fundit të qeverisjes, kanë pasur buxhet rreth 17 miliardë euro. Prej tyre, vetëm 3.1 miliardë janë investime kapitale. Megjithatë, kur e merr si shifër, është goxha e madhe, 3.1 miliardë, por nëse tenton të bësh një listë të projekteve se ku janë ato projekte në të cilat shteti ka investuar këto miliarda euro, nuk mund t’i identifikosh, s’ke gjasa t’i identifikosh. Nuk kanë rrugë të gjata, nuk ka projekte të mëdha me të cilat do të identifikoheshin këto investime”, ka thënë Hoti.

Të ngjashme