Ekonomia Online
FUNDIT

AUV kërkon tërheqjen e mishit të bluar AJH Foods, pas dyshimeve për ADN të pulës

AUV kërkon tërheqjen e mishit të bluar AJH Foods, pas dyshimeve për ADN të pulës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produktit “Mish i bluar gjedhi” të kompanisë AJH FOODS SH.P.K. në Novobërdë, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e ADN-së së pulës në këtë produkt.

Sipas njoftimit të AUV-së, produkti në etiketë ishte deklaruar se përmbante vetëm mish gjedhi dhe yndyrë, ndërsa analizat laboratorike të realizuara në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari kanë evidentuar edhe ADN të pulës.

Agjencia ka bërë të ditur se kjo gjetje ngre dyshime serioze për përdorimin e përbërësve me origjinë nga pula, të cilët nuk janë deklaruar në etiketën e produktit.

“Prania e ADN-së së pulës në një produkt të tregtuar si ‘Mish i bluar gjedhi’ ngre dyshime serioze për përdorimin e përbërësve me origjinë nga pula, të padeklaruar në produkt”- thuhet në njoftimin e AUV-së.

Sipas AUV-it, dyshimet përfshijnë edhe përdorimin e mundshëm të mishit të pulës të ndarë mekanikisht (MDM/MNM).

Gjatë kontrolleve zyrtare, inspektorët kanë evidentuar dokumentacion për furnizimin me rreth 2.2 tonë mish pule të ndarë mekanikisht, krahas furnizimeve me mish pule dhe mish gjedhi, njofton Agjencia.

Për këtë arsye, përveç tërheqjes së produktit nga tregu, AUV ka urdhëruar edhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit deri në përfundimin e verifikimeve.

“Duke marrë parasysh rezultatin laboratorik dhe nevojën për verifikimin e përbërjes dhe sigurisë së produktit, AUV […] ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produktit ‘Mish i bluar gjedhi’ dhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit të mëtejshëm deri në përfundimin e verifikimeve përkatëse”- thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, AUv ka bërë të ditur se kompania AJH FOODS ka kërkuar realizimin e një analize paralele për të verifikuar rezultatet laboratorike. AUV ka bërë të ditur se këtë kërkesë do ta trajtojë në përputhje me procedurat ligjore dhe të drejtat e operatorit ekonomik.

Agjencia ka theksuar se masat e ndërmarra janë parandaluese dhe nuk paragjykojnë rezultatet e analizës paralele apo përfundimet e procedurës së kontrollit zyrtar.Sipas raportit të inspektimit, deri më tani janë kthyer dhe izoluar në depon frigoriferike 77 kilogramë mish i bluar, ndërsa për lotin e analizuar fillimisht nuk është evidentuar kthim i produktit në depon e operatorit.

AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë verifikimin e gjurmueshmërisë dhe të sasive të produktit të shpërndara në treg, si dhe do të kontrollojë origjinën e ADN-së së pulës dhe përputhshmërinë e përbërjes faktike me atë të deklaruar në etiketë.

Në fund, Agjencia ka rikujtuar detyrimet ligjore të operatorëve ekonomikë për sigurinë dhe deklarimin e saktë të produkteve ushqimore.“Një produkt i deklaruar si ‘Mish i bluar gjedhi’ duhet të ketë përbërje në përputhje me deklarimin e tij. Konsumatorët kanë të drejtë të dinë saktësisht çfarë mishi përmban produkti që blejnë”- thekson AUV.

Agjencia ka njoftuar se do të ndërmarrë masa të tjera administrative dhe inspektuese në bazë të rezultateve përfundimtare të analizave dhe konstatimeve zyrtare.

Të ngjashme