Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj pushtetit, duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen qytetarët që shprehin pakënaqësi për gjendjen në vend.
Ymeri: Pushteti po i portretizon qytetarët e pakënaqur si armiq, zëri i varfërisë nuk mund të shuhet

Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Ymeri ka thënë se çdo e vërtetë që thuhet në Kosovë po konsiderohet si kërcënim për pushtetin.
Ajo ka kritikuar qeverisjen për, siç u shpreh, mungesën e punës konkrete për Kosovën, duke thënë se vëmendja është përqendruar te retorika për Serbinë, ndërsa ekonomia e saj është ushqyer vazhdimisht.
Ymeri ka përmendur pakënaqësitë e qytetarëve në sektorët e shëndetësisë, sigurisë dhe energjisë, duke pretenduar se ata që ngrisin zërin po etiketohen si armiq, dashakeqës e madje edhe si njerëz jonormalë.
Duke iu referuar edhe dokumenteve të publikuara së fundmi për atë që është cilësuar si “mafia energjetike”, deputetja e LDK-së ka thënë se këto zhvillime kanë nxitur, sipas saj, fushata linçimi ndaj atyre që kërkojnë përgjegjësi.
“ Kjo është luftë e humbur për ju, sepse zëri më i lartë dhe më kumbues është ai i varfërisë”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka akuzuar pushtetin për mbrojtje të së keqes, propagandës, linçimit dhe zhvatjes, duke përmendur edhe shpenzimet luksoze në Paris, të cilat i ka krahasuar me vështirësitë e qytetarëve për të siguruar ilaçe dhe trajtim mjekësor jashtë vendit.















