Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) ka organizuar Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temën “Zhvillimi profesional i mësimdhënësve në karrierë: praktikat, sfidat dhe mundësitë”, e cila ka bashkuar studiues, përfaqësues institucionalë, ekspertë dhe profesionistë të fushës së arsimit, raporton Ekonomia Online.
IPK organizon konferencë ndërkombëtare për zhvillimin profesional të mësimdhënësve në karrierë

Në hapje të konferencës, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Institutit Pedagogjik të Kosovës, Amantina Pervizaj-Kelmendi, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit profesional të mësimdhënësve si një ndër shtyllat kryesore për përmirësimin e cilësisë në arsim.
“Ju falënderojëm për praninë tuaj dhe gadishmërinë që të jeni pjesë e këtij takimi shkencor dhe profesional, i cili bashkon studiues, përfaqësues institucionalë, ekspertë dhe praktikues të arsimit rreth një teme me rëndësi të veçantë për cilësinë dhe të ardhmen e arsimit në vend. Zhvillimi profesional i mësimdhënësve është një nga shtyllat themelore për përmirësimin e cilësisë në arsim. Në një kohë kur arsimi po përballet me ndryshime të vazhdueshme, zhvillime teknologjike dhe nevoja gjithmonë e më të larmishme të nxënësve, roli i mësimdhënësve bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse mësimdhënësit nuk janë vetëm zbatues të kurrikulës apo përcjellës të njohurive, ata janë profesionistë që përmes vendimeve të përditshme pedagogjike ndikojnë në mënyrën se si nxënësit mësojnë, zhvillohen dhe ndërtojnë potencialin e tyre”, ka deklaruar ajo.
Pervizaj-Kelmendi ka theksuar se organizimi i kësaj konference është pjesë e përkushtimit të IPK-së për të nxitur dialogun shkencor dhe për të ndërlidhur kërkimin shkencor me praktikën arsimore.
“Prandaj, kur flasim për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, ne vërtet flasim për cilësinë e përvojës arsimore që u ofrojmë nxënësve tanë. Për Institutin Pedagogjik të Kosovës, organizimi i kësaj konference është pjesë e përkushtimit tonë për të nxitur dialogun shkencor, për të lidhur kërkimin me praktikën arsimore dhe për të krijuar hapësira bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, universiteteve, studiuesve dhe mësimdhënësve Konferenca e sotme merr një domethënie të veçantë edhe në boshtin e konferencës ndërkombëtare CIDREE 2026, të cilën patëm nderin ta organizojmë dhe të jemi nikoqir të studiuesve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të institucioneve arsimore evropiane pikërisht në dhjetëvjetorin e anëtarësimit tonë në konsorciumin CIDREE”, ka shtuar ajo.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave, ajo ka vlerësuar se konferenca e organizuar nga IPK-ja plotëson diskutimet e zhvilluara në kuadër të CIDREE 2026.
“CIDREE ofroi një perspektivë evropiane mbi zhvillimin profesional të mësimdëhënesve, ndërsa konferenca jonë sotme zgjeron dhe thellon këtë dialog përmes kërkimit shkencor, këmbimit të përvojave dhe reflektimit mbi praktikat, sfidat dhe mundësitë e zhvillimit profesional. Kështu, këto dy konferenca plotësojnë njëra-tjetrën, duke lidhur përvojën ndërkombëtare me nevojat dhe perspektivat e arsimit në Kosovë. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë për folësit kryesorë, panelistët, autorët, autorët e punimeve dhe të gjithë pjesëmarrësit që kanë zgjedhur të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre me ne. Një falënderim i veçantë shkon për kolegët e Institutit Pedagogjik të Kosovës për përkushtimin, angazhimin dhe përgatitjen dhe organizimin e kësaj konference, si dhe partnerët dhe bashkautorët tonë institucionalë. Besoj se diskutimet e sotme do të na ndihmojnë të identifikojmë perspektiva të reja, të ndajnë praktikat e vlefshme dhe të ndërtojmë bashkëpunime që do të vazhdojnë përtej kësaj konference”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së IPK-së ka shpallur zyrtarisht të hapura punimet e konferencës, duke vënë në pah edhe kontributin e institutit në zhvillimin profesional dhe kërkimor në fushën e arsimit.
“Me kënaqësi dhe nder të veçantë, i shpall zyrtarisht të hapura punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare, zhvillimi profesional i mësuesve në karrierë, praktikat, sfidat dhe mundësitë. Duke qenë se Instituti Pedagogjik i Kosovës luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe kur flasim për zhvillimin profesional, flasim njëkohësisht për zhvillimin e sistemit arsimor. Në këtë rrugëtim, Instituti Pedagogjik i Kosovës ka ndërtuar një përvojë të rëndësishme kërkimore profesionale, të cilën sot kemi kënaqësinë ta prezantojmë përmes disa kontributeve më përfaqësuese”, ka shtuar ajo.

















