Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë dokumentacionin mjekësor lidhur me rastin e vdekjes së 43-vjeçares, e cila humbi jetën gjatë transportimit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë drejt Spitalit Rajonal të Pejës.
Prokuroria nis hetimet për rastin e 43-vjeçares në Klinë

Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se hetimet do të përfshijnë edhe intervistimin e personelit mjekësor që ishte i angazhuar në trajtimin e pacientes, si dhe të dëshmitarëve të pranishëm në rast.
Ndërkaq, trupi i pajetë i 43-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do të kryhet obduksioni për të konstatuar shkakun e vdekjes.
Sipas njoftimit të QKMF-së në Klinë, gjendja shëndetësore e pacientes ishte përkeqësuar pas administrimit të terapisë, ndërsa më pas ajo kishte shfaqur shenja të një reaksioni alergjik.
Rasti është iniciuar nga organet kompetente me cilësimin “Hetim i vdekjes”.














