Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin epilog sa më shpejt Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.
Limaj kërkon epilog për ligjin për Dhomat e Specializuara: Kjo papërgjegjësi është skandaloze

Limaj ka shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje, duke e cilësuar procesin nga kthimi i ligjit e deri më tani si joserioz dhe të papërgjegjshëm.
“Unë besoj se kjo që ka ndodhur me ligjin nga koha e miratimit e deri më tani është një joseriozitet i madh. Domethënë që nga kthimi, kjo që është duke ndodhur, është një papërgjegjësi e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Limaj.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje dhe të mos e zvarrisin më tej procesin.
“Ky ligj edhe ashtu është i vonuar. Nuk ka kohë, s'ka kohë për pritje. Bile ftesa jem është që të gjithë deputetët të jenë më seriozë edhe t'i japin një epilog kësaj çështjeje”, ka thënë Limaj.
Kreu i Nismës është shprehur veçanërisht i zhgënjyer me dështimin e seancës, duke e cilësuar skandaloze që një çështje e tillë të mos trajtohet për shkak të zvarritjeve.
“Jam i zhgënjyer, jam shumë i zhgënjyer. Krejt është e pakuptueshme. Nuk duhet me qenë papërgjegjësia në këtë nivel. Thashë edhe më herët, duhet me u bë serioz, me kuptu për çka po flasim”, ka theksuar ai.
Limaj ka shtuar se zvarritja e kësaj çështjeje po luan me ndjenjat e qytetarëve dhe me atë që po ndodh në Hagë.
“Kjo është një lojë e madhe me ndjenjat, edhe me atë që na bëhet atje. Ftesa jem është me i dhënë fund këtij joserioziteti edhe me i dhënë epilog këtij ligji. Me dështu seanca për shkak të stërzgjatjes së drekave është skandaloze”, ka deklaruar Limaj.
Në fund, ai ka kërkuar që deputetët të veprojnë pa vonesa dhe ta përmbyllin këtë çështje.
“Duhet me i dhënë një epilog. Kjo që nga kthimi deri tash është për mua krejt e pakuptueshme, e dhimbshme, e papranueshme, skandaloze. Ata shpejt duhet me i dhënë një epilog kësaj çështjeje, të miratohet ai ligj, dhe duhet me mbyll kjo temë”, ka përfunduar Limaj.















