Shoqata e Qumështorëve të Kosovës ka përshëndetur shtimin e kontrolleve nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke i cilësuar ato si një hap pozitiv drejt rritjes së sigurisë ushqimore në vend.
SHQK përshëndet shtimin e kontrolleve nga AUV, kërkon inspektim sistematik edhe në gastronomi

Në reagimin e saj, Shoqata thekson se zbulimi i problemeve gjatë kontrolleve nuk nënkupton se ato kanë lindur tani, por se tashmë ka më shumë angazhim për identifikimin dhe trajtimin e tyre.
Megjithatë, sipas Shoqatës, përmirësimi i sigurisë ushqimore kërkon mobilizim të të gjithë zinxhirit ushqimor, duke përfshirë fermerët, përpunuesit, tregtarët, gastronominë dhe konsumatorët.
Shoqata kërkon që lokalet e gastronomisë të jenë objektivi i radhës i inspektimeve, me kontrolle sistematike dhe individuale, për të verifikuar produktet që përdorin dhe ushqimet që u shërbejnë konsumatorëve.
Po ashtu, ajo kërkon që mashtrimi me produktet ushqimore të parandalohet që në burim, përmes kontrolleve në prodhim dhe import, përfshirë edhe kontrollet në doganë.
Në fund, Shoqata e Qumështorëve të Kosovës vlerëson se siguria ushqimore nuk mund të garantohet vetëm përmes aksioneve të përkohshme, por kërkon veprim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi nga secila hallkë e zinxhirit ushqimor.
















