Shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri ka reaguar lidhur me retorikën nacionaliste kundër Kosovës të partive politike në Serbi.
Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit, politikanët në Serbi i janë kthyer kësaj retorike, duke përmendur Kosovën në shumë tubime.
Kjo fushatë, sipas Tahirit, është antidemoktrike dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe synimet evropiane.
“Retorika politike dhe elektorale në Serbi, si nga partitë në pushtet, e edhe nga ato në opozitë, ndaj Kosovës, jo vetëm që është antidemokratike dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe synimet evropiane që ky shtet pretendon ti ketë, por është edhe një gënjeshtër dhe një mashtrim i hapur ndaj elektoratit në Serbi. Pse? Kosova është e lirë që nga 12 qershori 1999. Që nga ajo ditë, regjimi i Millosheviqit dhe makineria e tij shtypëse u dëbuan nga Kosova. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, duke u bërë shtet i pavarur, i njohur nga shumë shtete të botës. Në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se një fushatë e tillë duhet të ndalet.
“Prandaj, boll më me manipulime, boll më me mashtrime elektorale dhe me retorikë nacionaliste! E vërteta nuk ndryshon sipas interesave të partive politike dhe as sipas fushatave elektorale. Kosova është e lirë. Kosova është e pavarur. Dhe realiteti i saj shtetëror nuk mund të zhbëhet me propagandë politike.”, ka thënë ai.