Gashi viziton Prokurorinë në Mitrovicë, premton mbështetje për rritjen e numrit të prokurorëve

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vizituar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ku ka diskutuar me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit, Nijazi Rexha, dhe prokurorët për sfidat dhe nevojat e kësaj prokurorie.

Në këtë vizitë, Gashi shoqërohej nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi.

Sipas njoftimit, diskutimet u përqendruan në mungesën e prokurorëve, stafit mbështetës, si dhe nevojat profesionale dhe infrastrukturore me të cilat përballet kjo prokurori.

Gjatë takimit, Kryeprokurori i Shtetit ka ofruar mbështetje institucionale për adresimin e këtyre sfidave, me theks të veçantë në rritjen e numrit të prokurorëve.

“Duke pasur parasysh specifikat dhe rrethanat në të cilat është duke vepruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, [Gashi] ofroi mbështetjen e tij të plotë institucionale për adresimin e sfidave dhe nevojave të saj”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Gashi ka shprehur shpresën se kësaj prokurorie do t’i bashkohen edhe prokurorë nga komuniteti serb, në kuadër të procesit të rekrutimit të prokurorëve të rinj, i cili tashmë ka filluar.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit u ka bërë thirrje prokurorëve që të vazhdojnë punën me profesionalizëm dhe paanshmëri. Ai i ka inkurajuar që të gjitha lëndët që bien në juridiksionin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë t’i trajtojnë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe objektivitet, ashtu siç kanë vepruar deri më tani.

Të ngjashme