Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar ekspozitën e letërkëmbimit të heroit Fehmi Lladrovci me heroinën Xhevë Krasniqi Lladrovci, gjatë kohës sa ai ishte në burg.
Përmes një postimi, Lladrovci ka thënë se kjo ekspozitë do të mbahet mend gjatë, duke e cilësuar atë si dëshmi të një dashurie shembullore, të flijuar për atdheun.
“Ekspozita e letërkëmbimit gjatë kohës së burgut të heroit Fehmi Lladrovci me heroinën Xhevë Krasniqi Lladrovci, do të mbahet mend gjatë”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se, përtej emocioneve që përcjell, ekspozita paraqet një trashëgimi atdhetare që do të përcillet ndër breza.
“Përtej emocioneve, ekspozita është dëshmi e një dashurie shembullore, të flijuar për atdhe. Historia e tyre, është trashëgimi atdhetare ndër breza”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Lladrovci ka falënderuar organizatoren Jeta për realizimin e ekspozitës, duke vlerësuar se përmes saj janë nderuar figura e Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi Lladrovcit.
“Faleminderit Jeta, ke nderuar veten, heroin dhe heroinën, Fehën e Xhevën, me ekspozitën e një letërkëmbimi të jashtëzakonshëm e të papërsëritshëm, ashtu siç ishin ata dy!”, ka shkruar Lladrovci.