Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave dhe vajzave në Kosovë, si dhe përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në një intervistë për Ekonomia Online, e ka cilësuar rastin si një tjetër alarm për mosveprimin institucional, duke kërkuar llogaridhënie për çdo veprim dhe mosveprim që mund të ketë ndikuar në këtë tragjedi.
Ajo ka theksuar se institucionet përgjegjëse duhet të hetojnë dështimet e mundshme, të mësojnë nga gabimet dhe të garantojnë mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë.
“Po, kjo ngjarje, si çdo vrasje e gruas, na ka tronditur shumë dhe sot jemi tejet të shqetësuara, sepse është rasti tjetër i femicidit, i cili po ndodh për shkak të mosveprimit të institucioneve, dhe kjo na bën edhe më të shqetësuara dhe me u ndier edhe më të frikësuara me vetë faktin që ne si gra dhe vajza jetojmë në këtë shoqëri, ku jeta jonë po duket sikur nuk ka vlerë dhe po duket sikur edhe vetë shteti nuk po e sheh të rëndësishme që të mirret me mbrojtjen e grave dhe vajzave”, deklaroi Berisha.
Ajo ka thënë se raste të tilla dëshmojnë nevojën që institucionet të marrin përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke theksuar se vlerësimi i rrezikut duhet të bëhet në bashkëpunim mes Policisë, Prokurorisë dhe Qendrave për Punë Sociale.
“Mirëpo mendojmë që i tërë zinxhiri i institucioneve kanë një përgjegjësi dhe presim që secili prej tyre sot edhe të qëndrojnë mbrapa llogaridhënies, të na njoftojë për veprimet dhe mosveprimet që i kanë ndërmarrë e që fatkeqësisht kanë çuar deri te femicidi dhe deri te vrasja e të ndjerës tashmë. Mendojmë që vlerësimi i rrezikut i takon të gjithë akterëve, i takon policisë, i takon Qendrës për Punë Sociale, i takon Prokurorisë në bashkëpunim me policinë që të sigurohet që një grua që raporton dhunë është e mbrojtur, edhe pasi që shkaktari i dhunës ndoshta është i arrestuar, sepse e kemi thënë gjithmonë, ne jetojmë në një shoqëri patriarkale”, tha Berisha për Ekonomia Online.
Ajo ka kërkuar që institucionet të mësojnë nga gabimet, t’i besojnë viktimave dhe të sigurohen që gratë që raportojnë dhunë të mbrohen edhe nga personat e tjerë që mund të përbëjnë rrezik për to.
“Institucionet duhet fillimisht të mësojnë nga gabimet që i kanë bërë, që këto gabime mos t’i përsërisin më. Duhet të qëndrojnë mbrapa legjislacionit, i cili secilit akter ja përcakton detyrat dhe obligimet e veta që i ka, ta bëjnë vlerësimin e duhur të rasteve, t’i besojnë viktimave, mos t’i fajësojnë viktimat, të shikojnë ku kanë ngecë, në cilën hallkë e institucioneve nuk e ka përfunduar detyrën qysh duhet, në mënyrë që këto gabime mos na përsëriten më në të ardhmen, sepse nuk ka më asnjë arsyetim për vrasjet që po na ndodhin në duart e institucioneve”, potencoi ajo.
Gruaja nga Peja, e cila u vra të dielën në mbrëmje, tri ditë para rastit i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj.
Me një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj atyre që, siç kishte shkruar, kishin dështuar t’i përmbushnin detyrat e tyre për mbrojtjen e jetës së saj.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, thuhej në letrën e saj.
Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Zekaj, në Vitomiricë të Pejës, vazhdon të jetë në arrati.
Sylaj dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit Golf 3.
