Përplasje mes Haxhiut dhe Hazirit në Kuvend gjatë debatit për vrasjen e Arlindës

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është përplasur me deputetin e LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë seancës ku po diskutohej për vrasjen e Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.

Përplasja erdhi pas fjalimit të Hazirit, i cili kritikoi Qeverinë për përgjegjësinë në garantimin e sigurisë juridike dhe fizike të qytetarëve. Haxhiu iu kundërpërgjigj duke akuzuar qeveritë e kaluara për mungesë veprimesh ndaj dhunës kundër grave dhe duke thënë se veprimet institucionale në këtë drejtim kanë nisur në vitin 2021.

Haziri tha se siguria juridike dhe fizike e qytetarëve është ndër detyrat kryesore të Qeverisë, duke vlerësuar se institucionet kanë dështuar në këtë përgjegjësi në rastin e Arlindës.

“Po e lidh me mandatin e qeverisë që detyrën e parë prej të gjitha detyrave të tjera e ka sigurinë juridike të qytetarëve dhe sigurinë fizike të tyre. A ka dështuar në dy detyrat qeveria, ajo që po themi që ka rënë shteti në rastin e të ndjerës. Nëse flasim për një vit, ku kanë mbërritur rastet tjera me u zbardhë apo cila është masa për t’u parandaluar. Nuk mundesh me u distancu prej detyrës së sigurisë juridike dhe fizike që shteti e ka ndaj qytetarëve të vet. Kryeministri Kurti duhet me shfrytëzua këtë mundësi… Ne nuk jemi familje që vrasim gra. Shqiptarët e kanë të rregulluar familjen ku gruaja ka rol, ne jemi të lindur prej nënave, se ende ligji nuk lejon që ne të lindim nga burrat, tendencën që e ka qeveria me e prua edhe ata”, tha Haziri.

Ndërkaq, Haxhiu kritikoi LDK-në për qasjen ndaj dhunës kundër grave gjatë kohës kur kjo parti ka qenë në pushtet, duke thënë se qeveritë e kaluara nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme.

“Keni qeverisur herë vetë e herë bashkë, kurrë asnjë veprim nuk keni ndërmarrë dhe kurrë asnjë kryeministër që ka folë për dhunën ndaj grave, për femicidin, asnjëherë. Për herë të parë kanë filluar të merren veprime në 2021. Kur jam bërë ministre e Drejtësisë, kam pyetur cilat janë veprimet që janë ndërmarrë, asnjë. Nuk është në rregull që sot ta keqpërdorni këtë foltore të Kuvendit me akuza të pabaza. Kryeministrat e kaluar dhe ministrat kanë menduar se nuk është punë e tyre të merren me dhunën ndaj grave, por është. E për shkak të mosveprimeve tuaja, ne sot përballemi me situata të tilla. Keni kujdes çka flisni”, tha ajo.

Të ngjashme