Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Medresetë te shqiptarët: histori, trashëgimi, kontribut”, ku ka vlerësuar rëndësinë e studimit të historisë dhe trashëgimisë së medreseve te shqiptarët.
Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në konferencën e organizuar nga Instituti për Studime dhe Hulumtime Islame, në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, kanë marrë pjesë rreth 60 studiues dhe hulumtues.
Ai ka thënë se studimi shkencor i medreseve ndihmon në ruajtjen dhe dokumentimin e traditës së shkollave fetare, duke u dhënë atyre vendin e merituar në histori.
“Duke i paraqitur studimet për historinë dhe trashëgiminë e medreseve te shqiptarët, restaurohet dhe rikuperohet një kulturë dhe një traditë e veçantë e shkollave fetare, duke i shkencëruar ato dhe duke u dhënë vendin e merituar në histori”, ka shkruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe ndryshimet historike në Shqipëri dhe Kosovë, duke theksuar se rënia e regjimit komunist në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore krijuan mundësinë që medresetë të funksionojnë lirshëm.
“Për fatin e mirë të ne shqiptarëve, dekada të tëra përpjekje e sakrifice, rezistence dhe lufte, u shpërblyen në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore, pasuar nga jetësimi i shtetit që kemi sot”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, sot medresetë në të dyja vendet funksionojnë si shkolla fetare, por edhe si institucione edukative dhe shkencore brenda sistemeve arsimore.
“Medresetë në të dyja vendet funksionojnë lirshëm, si shkolla fetare por edhe si institucione edukative dhe shkencore të sistemeve tona arsimore”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar gjithashtu se historia, trashëgimia dhe kontributi i medreseve mund të studiohen dhe të njihen lirshëm nga studiuesit dhe të gjithë të interesuarit për këtë temë.
“Përveç kësaj, historia, trashëgimia dhe kontributet e medreseve te shqiptarët, mund të studiohen dhe të njihen lirshëm gjithashtu, nga shkencëtarët si ju dhe nga çdo i interesuar për këtë temë”, shtoi Kurti.