Sot vazhdon protesta kombëtare kundër vrasjes së grave, kërkohet shkarkimi i Gërvallës dhe Sveçlës

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 07:49 | Nga Ekonomia Online

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të vazhdojë edhe sot protestën kombëtare me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, pas protestës së mbajtur të mërkurën në Prishtinë, ku u kërkua drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie nga institucionet për dështimet e mundshme në trajtimin e rastit të saj, raporton Ekonomia Online.

Protesta e sotme është paralajmëruar të mbahet nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim dhe solidarizim kombëtar. Ata kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Një ditë më parë, qindra qytetarë dhe aktivistë protestuan në kryeqytet, duke marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.

Protesta u organizua pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, pasi viktima kishte raportuar më herët për dhunë në familje dhe kishte kërkuar ndihmë nga institucionet.

Gjatë protestës së 28 tetorit, protestuesit kërkuan shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për përgjegjësinë politike që organizatorët ua atribuojnë në trajtimin e rastit. Po ashtu kerkes e tyre ishte edhe nisja e hetimeve dhe ndjekjes penale ndaj zyrtarëve përgjegjës, përfshirë përfaqësues të prokurorisë, gjykatave dhe Qendrës për Punë Sociale, nëse konstatohet se kanë neglizhuar detyrat e tyre.

Të ngjashme