Asgjësohen mbi 21 mijë kilogramë produkte mishi të mykura

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka asgjësuar 21 mijë 226 kilogramë produkte mishi. 

Sipas njoftimit të AUV-së asgjësimi është bërë në kuadër të zbatim të një urdhërese të Inspektoratit Veterinar të Agjencisë. 

Në njoftim thuhet se bazuar në këtë urdhëresë operatori ekonomik ELKOS SH.P.K. ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore. 

“Si rezultat, operatori ka tërhequr edhe 21,226 kg produkte ushqimore, të cilat janë asgjësuar më 30 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, thuhet në njoftim.

Sipas evidencës së operatorit, produktet e evidentuara përfshijnë mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish të grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera të mishit, si dhe produkte të tjera ushqimore. 

Këto masa thuhet se pasojnë urdhrin fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3,130 kg kofshë pule të ngrira, pas konstatimit të pranisë së mykut.

“Procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera po vazhdon, veçanërisht për produktet tek të cilat janë konstatuar ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut. Produktet e identifikuara si të papërshtatshme për konsum do t’u nënshtrohen masave përkatëse të ndalimit të shitjes, tërheqjes dhe asgjësimit”, thuhet në njoftim.

Të premten AUV-i ka ndaluar shitjen dhe e ka urdhëruar tërheqjen e mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit”, pasi në të ka konstatuar bakterin “Salmonella Minnesota”.

Në një njoftim të AUV-së është bërë e ditur se janë ndaluar dhe është vendosur për tërheqjen e dy lotëve.

Të ngjashme