Kurti: Më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stade të hershme

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në stadet e hershme, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe qasjes së lehtë në shërbimet shëndetësore, raporton Ekonomia Online.

Kurti këto deklarata i bëri në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me temën “Përtej Tetorit Rozë – Së bashku për shëndetin”, ku u përmbyllën aktivitetet e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Ai tha se ndërgjegjësimi për këtë sëmundje nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por të shndërrohet në një kulturë të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik.

“Përveç mesazhit ndërgjegjësues e përtej tetorit rozë, bashkërisht synojmë nxitjen e një kulture të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik, për shëndetin e secilit, duke inkurajuar njëri-tjetrin që të mos e shtyjmë kontrollin. Më lejoni të shpreh mirënjohjen veçanërisht për të gjithë profesionistët shëndetësorë, ata që nuk janë në këtë sallë e janë aq të shumtë, pastaj stafin mjekësor, organizatat e institucionet, ndërmarrjet publike dhe private, pra të gjithë ata të cilët në forma të ndryshme, por për qëllimin e njëjtë angazhohen për ta çuar këtë mesazh te sa më shumë gra”, ka thënë ai.

“Ky është një angazhim i përbashkët, i cili kërkon edhe vazhdimësi, po edhe përgjegjësi nga të gjithë ne. Detyra jonë është ta shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit, mes diagnosës dhe trajtimit, mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj. Kjo punë nis me ndërgjegjësimin, pra me fushatat që organizon Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pastaj me punën e organizatave dhe kontributin e ndërmarrjeve publike e private. Faleminderit të gjithëve për thirrjen për kontroll që e çoni te sa më shumë gra. Ky angazhim gjithsesi edhe po i sjell rezultatet e veta. Sot, më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit zbulohen në stade të hershme, 1 dhe 2, kur ende janë lehtësisht të trajtueshëm. Në këtë drejtim, mamografia tashmë ofrohet falas gjatë gjithë këtij viti. Gjatë tetorit, mamografi mobil udhëton nëpër qytetet e Kosovës për ta sjellë shërbimin edhe më afër grave. Për pacientët që kanë nevojë për trajtim në onkologji janë përmirësuar edhe kushtet, edhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit. Gjithashtu ofrohet edhe rekonstruktimi i gjirit falas dhe pa pritje”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se tashmë është hartuar plani i veprimit për skriningun e kancerit të gjirit dhe se implementimi i tij ka filluar.

Vitia tha se sipas të dhënave të vitit të kaluar, 53.4 për qind e grave janë diagnostikuar në stadet e hershme të sëmundjes, ndërsa bazuar në informacionet e institucioneve shëndetësore, kjo përqindje pritet të jetë edhe më e lartë gjatë këtij viti.

“Sot po përmbyllim aktivitetet e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me synimin që vëmendja dhe angazhimi i përbashkët të vazhdojnë tash pa ndërprerje. Tanimë e kemi planin e veprimit për skriningun e kancerit të kancerit të gjirit, plan i cili ka filluar të implementohet. Dhe siç e kemi cekur disa herë gjatë kësaj fushate, në vitin e kaluar 53.4% e grave janë diagnostikuar në stadet e hershme (stadin e parë dhe të dytë) të kancerit të gjirit. Sipas informacioneve të institucioneve shëndetësore deri më tani, kjo përqindje pritet të jetë edhe më e lartë në vitin që po përmbyllet. E synimi ynë është që kjo përqindje të rritet akoma, sepse zbulimi i hershëm është mënyra më e mirë, më pak traumatike dhe më e lirë për mbrojtjen nga kjo sëmundje. Kjo nënkupton ofertë në diagnostikim në të gjithë territorin e Kosovës, me pajisje dhe mundësi për secilën paciente. Natyrisht, vetëkontrolli dhe lajmërimi i hershëm te mjeku janë çelësi i suksesit dhe diagnostikimit të hershëm”, tha Vitia.

Ai theksoi se synimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që diagnostikimi të jetë i mundur në të gjithë territorin e Kosovës, duke u bërë thirrje grave që të mos i neglizhojnë kontrollet dhe të lajmërohen me kohë te mjeku.

Të ngjashme