Deliu: Suspendimi i katër farmacistëve nuk e zgjidh problemin e mungesës së barnave në Kosovë

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar suspendimin e katër farmacistëve një ditë pas interpelancës për mungesën e barnave, duke thënë se përgjegjësia për furnizimin nuk përfundon te farmacistët, por lidhet me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave, raporton Ekonomia Online

Në seancën e Kuvendit, Deliu tha se rasti i pacientes që u raportua se kishte vdekur si pasojë e mungesës së barnave nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar, pasi, sipas saj, shumë pacientë detyrohen t’i blejnë vetë terapitë që duhet t’ua sigurojë shteti.

“Ky nuk është vetëm një rast i izoluar dhe nuk mund të mbetet vetëm një rast i izoluar. Është numri i madh i pacientëve të cilët për çdo ditë detyrohen të bien nga xhepat e tyre barna të cilat do të duhej t’ua siguronte shteti. Janë pacientë të cilët përballen me sëmundje të rënda, familje që detyrohen të kërkojnë barna jashtë vendit dhe njerëz që, përveç shqetësimit për shëndetin, duhet të mendojnë edhe se ku t’i gjejnë paratë për trajtim”, tha ajo.

Deliu theksoi se suspendimi i katër farmacistëve nuk e zgjidh problemin e furnizimit me barna dhe kërkoi që përgjegjësia të trajtohet në mënyrë më të gjerë.

“Të nderuar deputet, një ditë pas interpelancës, 4 farmacistë janë suspenduar nga puna. Unë nuk dua të paragjykoj përgjegjësinë e askujt. Nëse ka pasur shkelje, natyrisht se ato duhet hetuar. Por a mendon dikush seriozisht se me suspendimin e 4 farmacistëve, zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? A do të thotë kjo se prej nesër pacientët nuk do të detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre? A do të thotë kjo se barnat esenciale do të jenë në dispozicion të pacientëve në çdo kohë? Sigurisht që jo. Sepse problemi i furnizimit nuk fillon e as nuk përfundon tek farmacisti që e jep barin. Problemi lidhet me planifikimin, me prokurimin, me furnizimin dhe me menaxhimin e barnave”, tha ajo.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: 918849556_4628514377469916_656824950329929527_n.jpg

Të ngjashme