Në 26-vjetorin e themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, dhe drejtoresha ekzekutive e CDF-së, Nermin Mahmuti, kanë theksuar rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të këtij institucioni nga institucionet publike, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, tha se Gjykata Kushtetuese, përmes vendimeve të saj përfundimtare dhe detyruese, garanton autoritetin e Kushtetutës, ndërsa Avokati i Popullit kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve përmes rekomandimeve dhe mekanizmave të tjerë të mandatit të tij.
Ai theksoi se institucionet publike kanë përgjegjësi që rekomandimet e Avokatit të Popullit t’i shqyrtojnë me seriozitet dhe të veprojnë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore.
“Një institucion publik nuk përmbush domosdoshmërisht përgjegjësinë e tij vetëm duke konstatuar se një rekomandim nuk ka fuqi juridike të një vendimi gjyqësor. Institucionet publike duhet t’i shqyrtojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, sepse kultura e kushtetutshmërisë nuk ndërtohet vetëm përmes mekanizmave të detyrimit, por edhe përmes gatishmërisë për të reflektuar dhe korrigjuar mangësitë”, tha Rexhepi.
Ndërsa, drejtoresha ekzekutive në CDF, Nermin Mahmuti, tha se 26-vjetori është një mundësi për të vlerësuar kontributin e këtij institucioni në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, por edhe për të reflektuar mbi nevojën që këto të drejta të jenë pjesë e realitetit të përditshëm të qytetarëve.
Ajo u ndal edhe te tema e konferencës, “Roli dhe rëndësia e rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, duke theksuar se rekomandimet nuk duhet të mbesin vetëm konstatime në raporte apo të trajtohen në mënyrë formale nga institucionet përgjegjëse.
“Rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk duhet të mbesin vetëm konstatime në raporte, apo të trajtohen formalisht nga institucionet përgjegjëse. Ato duhet të merren me seriozitet dhe të zbatohen në mënyrë që problemet e evidentuara të adresohen, politika dhe praktika institucionale të përmirësohen dhe qytetarët të kenë besim më të madh në institucionet publike”, tha Mahmuti.
