Në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka folur për sfidat me të cilat është përballur institucioni ndër vite, ndikimin e zhvillimeve politike në funksionimin e institucioneve të pavarura, si dhe angazhimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.
Qelaj, ka thënë se vitet e fundit kanë qenë sfiduese për funksionalizimin dhe konsolidimin e institucioneve, si pasojë e proceseve zgjedhore dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Ai ka theksuar se kjo situatë ka ndikuar edhe në punën e institucioneve të pavarura, përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit, por pavarësisht vështirësive kanë vazhduar angazhimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Natyrisht vitet e fundit i kemi pasur bashkë me mangësi të konsolidimit të institucioneve ose funksionalizimit të tyre pas zgjedhjeve të parakohshme. Dhe natyrisht kjo ka ndikuar shumë edhe në punën e institucioneve të tjera, edhe në punën e institucioneve të pavarura, ndër të cilat është edhe Avokati i Popullit si institucion shumë i rëndësishëm, për më tepër si institucion i pavarur. Përkundër kësaj, ne kemi dalë që edhe në këtë periudhë të vështirë me e luajtur rolin tonë, me e treguar nivelin e lartë të profesionalizmit, përkushtimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, natyrisht duke ushtruar kontrollin nga ana e autoriteteve publike sa herë që kemi pasur informacion, kërkesë, ankesë, apo çfarëdo forme informimi se mund të ketë problem në respektimin e të drejtave të njeriut. Dhe në këtë punë tonë të përditshme ne kemi treguar që nuk mjafton vetëm të jetë garantuar me Kushtetutë e me ligj mënyra e funksionimit tonë të rëndësisë së veçantë të pavarur. Është tepër e rëndësishme të arrihet të dëshmohet që të ketë rol të fortë, të mbështetur në fakte objektive dhe të bëhet pasqyrë e qytetarit të Republikës së Kosovës sa herë që përballet me situata konkrete të cilat e prekin atë si qytetar”, tha Qelaj.
Qelaj foli edhe për monitorimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke bërë të ditur se vëmendja e institucionit që ai drejton është përqendruar në respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe në garantimin e të drejtave themelore të palëve në proces.
Ai tha se shqetësimet e tyre i kanë adresuar tek autoritetet përkatëse, duke kërkuar masa konkrete për garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.
“Ne kemi monitoruar punën e gjykatës, gjykatës së dhomave, pra dhomave të specializuara të gjykatës speciale në Hagë dhe gjatë përcjelljes së kësaj pune, kësaj gjykate, vëmendja jonë është orientuar kryesisht në respektimin e standardeve që garantojnë gjykim të drejtë e të paanshëm, që garantojnë të drejtat themelore që pala që duan të jenë të pasigurt, që janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumente ndërkombëtare që janë pjesë e Kushtetutës dhe që janë ligje të zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë, pikërisht bazuar në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Natyrisht shqetësimet tona i kemi adresuar tek autoritetet përkatëse dhe kemi kërkuar me masa konkrete me garantu që zhvillohet një proces i drejtë, sepse Kosova ka rritur drejtësi dhe gjithmonë pranë të parëve të gjithëve me ballë hapur, Kosova luftën për liri e ka udhëhequr paralelisht me luftën për drejtësi. Sepse gjëra që i kemi përjetuar në sistemin e kaluar, jemi ballafaquar me cenim të të drejtave tona, me kufizim të lirive, me mohim të të drejtave themelore që shoqëria demokratike nuk mund të funksionojë e një shtet mund të ekzistojë nëse nuk i zbaton këto parime”, tha ai.
