Autoriteti i Konkurrencës, Lushtaku dhe Ymeri akuza VV-së: Po i mbrojnë shkelësit e ligjit

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e deputetëve të shumicës parlamentare ka pamundësuar shqyrtimin e projektligjit për efiçiencë të energjisë dhe raportimin lidhur me Autoritetin e Konkurrencës në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i shmanget ballafaqimit dhe po i mbron, siç i quajti ai, personat që kanë bërë shkelje në Autoritetin e Konkurrencës.

“Po tregohet qartë se këta nuk e kanë argumentin për t’u ballafaquar, por po zgjedhin edhe një formë tjetër, jo vetëm bojkot, por edhe mbrojtje të maskarenjve që kanë bërë në Autoritetin e Konkurrencës. Shihet qartë që ka bashkëdyzim të interesave në këtë drejtim. E kemi parë në mbledhjen e kaluar që kishte njëfarë tensioni nga anëtarët e VV-së, për shtyrje dhe mosftesë të anëtarëve të tjerë të bordit. Ky tension duhet të shpjegohet, jo vetëm prej neve, por të kërkohet edhe hetim nga institucionet e drejtësisë”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së tha se kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve për të zbardhur, siç pretendon ai, rastet e kurdisjes së çmimeve dhe dëmtimit të konsumatorëve.

Ai kritikoi gjithashtu atë që e quajti arrogancë të pushtetit, duke e akuzuar shumicën se po bojkoton punën e Komisionit për të mbrojtur bashkëpartiakët që udhëheqin këtë institucion.

“Ne kërkojmë edhe publikisht të na ndihmohet në këtë proces, që mund të na ndihmojë në procesin e kurdisjeve të çmimeve dhe dëmtimin e qytetarëve.Është për keqardhje mendësia e arrogancës së pushtetit, në çfarë niveli ka ardhur, deri në bojkotimin dhe mbrojtjen e bashkëpartiakëve që udhëheqin me këtë institucion. Mirë që i pamë fytyrat e tyre, në këtë rast me mungesën e tyre. Kjo nuk do të mbarojë këtu. Do të kërkojmë edhe shkarkimin e anëtarëve të bordit, por sigurisht se do të kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve t’ua nxjerrim fytyrën e vërtetë atyre që po i mbrojnë shkelësit e ligjeve dhe keqpërdoruesit e detyrës zyrtare”, deklaroi Lushtaku.

Edhe deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, tha se çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë aktive edhe në legjislaturën e kaluar, ndërsa shprehu kënaqësinë që, sipas saj, kësaj çështjeje po i kushtohet vëmendje.

Ymeri akuzoi deputetët e mazhorancës se po i shmangen ballafaqimit dhe tha se mungesa e tyre po ndikon në mosadresimin e veprimeve që ajo i cilësoi si jolegjitime brenda Autoritetit.

“Çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë mjaft aktive edhe në legjislaturën e kaluar, më vjen mirë që sot i ka ardhur koha. Mirëpo, jam mëse e lumtur që sot po shihet se pushteti, anëtarët e mazhorancës në këtë rast, po i ikin ballafaqimit. Kjo vlen për dy arsye: aktivitetet që janë bërë brenda Autoritetit, disa prej tyre, ndër më të rëndësishmet, janë jolegjitime dhe mungesa e deputetëve të VV-së po e amniston jolegjitimitetin dhe dhunën që është bërë në Autoritet. Dhuna nuk bëhet vetëm në baza gjinore. Po amnistohen aktivitetet jolegjitime dhe kjo po bëhet në dëm të konsumatorëve. VV-ja ka bërë fushatë për konsumatorin, por në fakt punon me një plan që shkon në dëm të interesave të secilit konsumator, nga produktet bazë deri te nafta dhe produktet e tjera”, deklaroi Ymeri.

Të ngjashme