Abdixhiku kërkon rikthimin e portretit të Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë në Presidencë

Prishtinë | 09 Nën 2026 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me largimin e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga ambientet e Presidencës së Kosovës.

Abdixhiku e ka cilësuar këtë vendim si të gabuar, duke theksuar se Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë janë pjesë e themeleve të shtetit të Kosovës dhe duhet të kenë vendin e tyre në institucionin më të lartë shtetëror.

“Largimi i tyre është një vendim i gabuar. Presidenca ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën shtetërore dhe ta nderojë historinë mbi të cilën është ndërtuar shteti që përfaqëson. Kjo përgjegjësi qëndron mbi preferencat personale dhe dallimet politike”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje presidentes që ta rishikojë vendimin dhe t’i rikthejë në vendin e tyre fotografinë e presidentit historik dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Sipas Abdixhikut, Presidenca ka përgjegjësi të ruajë kujtesën shtetërore dhe të nderojë historinë e Kosovës, pavarësisht dallimeve politike dhe preferencave personale.

“Prandaj, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ftoj Presidenten ta rishikojë këtë vendim dhe t’i rikthejë fotografinë e Presidentit Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendin e tyre. Historia që ato përfaqësojnë na përket të gjithëve. Do t’i bënte nder edhe asaj. Siç i bën nder sot ky portret edhe Parlamentit Evropian”, përfundoi ai.

Të ngjashme