Kica-Xhelili kritikon politizimin e Komisionit për rastin e Arlinda Zekajt, Kabashi-Ramaj kërkon rekomandime për parandalimin e rasteve të ngjashme

Prishtinë | 09 Nën 2026 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar politizimin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, ndërsa anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar që puna e këtij komisioni të përqendrohet edhe në hartimin e rekomandimeve konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen, raporton Ekonomia Online.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Kica-Xhelili ka kundërshtuar mënyrën e përpilimit të listës së dëshmitarëve, duke thënë se në të janë përfshirë edhe persona që, sipas saj, nuk kanë lidhje me institucionet shtetërore.

Ajo ka përmendur edhe propozimin e kryetarit të komisionit për përfshirjen e deputetit të LDK-së, Fadil Hadëgjonaj, në listën e dëshmitarëve.

“Po nuk mundemi me vazhdu me pranu ligjërimet te mospolitizimet, kur analizoj listën e dëshmitarëve, ju keni përfshi njerëz që lidhje nuk kanë me institucione shtetërore. Lidhje nuk kanë. Na nuk jemi prokurori e shtetit për me hetu edhe personat fizikë që kanë mujt me njoftë familjen e Arlindës. Dhe mu ka dok bajagi absurde që keni ardhë me një propozim të tillë, duke i përfshi personat të afërm me Aleancën në rastin konkret, se është punë e prokurorisë, nuk është punë e komisionit hetimor parlamentar”, ka theksuar ajo.

Kica-Xhelili ka thënë se qëllimi i komisionit duhet të jetë zbardhja e dështimeve institucionale, nga Qendrat për Punë Sociale, Policia dhe Prokuroria, deri te ministritë përkatëse dhe Zyra e Kryeministrit.

Deputetja e LDK-së ka rikujtuar se kishte kërkuar edhe përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve që do të trajtohen nga komisioni, por ky propozim nuk ishte pranuar nga shumica.

Megjithatë, ajo ka theksuar se mospajtimet për përfshirjen e dëshmitarëve apo institucioneve nuk duhet ta bllokojnë punën e komisionit.

“A din? Tash, a po dojmë me kuptu çka ka ndodhë brenda institucioneve tona? A po dojmë me kuptu çka kanë bo policët e që s’ka ditë me rregullu Ministria e Punëve të Jashtme? Çka kanë bo sistemi i drejtësisë e që ska ditë me rregullu Ministria e Drejtësisë? Çka kanë bo QPS-ja, e që s’ka pasë nashta politika, ose ka pasë prej Ministrisë për Familje? A po dojmë me bo ping-pong teatrik këtu?”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si është miratuar plani i veprimit në mbledhjen e kaluar, duke theksuar se për disa prej pikave të tij kanë pasur mospajtime dhe se për këtë arsye nuk kanë marrë pjesë në atë proces.

Kabashi-Ramaj ka thënë se komisioni hetimor ka një përgjegjësi më të madhe se komisionet e tjera, pasi duhet të shërbejë jo vetëm për të kuptuar se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Qeveria, por edhe për të identifikuar mënyrat se si institucionet mund të veprojnë ndryshe në të ardhmen.

“Po çka kisha dashur me ngritur si çështje është që, edhe përkundër faktit që keni aprovuar planin e veprimit herën e kaluar, ne kemi pasur mospajtime, prandaj edhe është vazhduar ta kemi pa pjesëmarrjen tonë. Ne kemi pasur mospajtime të cilat i kemi adresuar atë ditë, dhe për cilin kisha dashur me i thënë nja dy-tri fjalë”, ka deklaruar ajo.


Ajo ka shpjeguar se komisionet hetimore zakonisht krijohen kur shteti përballet me një situatë të rëndë dhe kur është e nevojshme të hetohet se çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë institucionet.


“Ky komision, ndryshe prej komisioneve zakonisht, natyrisht secili komision hetimor ndodh kur shteti u ka ballafaquar me një situatë të rëndë të cilat, të cilën do me hetuar, domethënë me pa çka ka bërë qeveria, çka s’ka bërë, çka mundet me bërë ndryshe”, ka thënë Kabashi-Ramaj.
Sipas saj, komisioni për rastin e Arlinda Zekajt ka një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në parandalimin e rasteve të ngjashme, përmes rekomandimeve që do t’u adresohen institucioneve të vendit.

“Mendoj që ky komision hetimor e ka një detyrë hala më të madhe sesa komisionet e tjera, për shkak se është një mundësi e mirë, edhe pse kemi mandat të limituar, çka mujmë me bë, është një mundësi e mirë për me krijuar rekomandime në fund të këtij komisioni, që do t’i ndihmojnë institucioneve të vendit me parandaluar brenda kapaciteteve institucionale, shtetërore, me ndodh te një grua tjetër, çka i ka ndodhur Arlindës”, ka deklaruar ajo.

Kabashi-Ramaj ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët e komisionit ta shohin këtë proces si një mundësi për të ndihmuar shtetin që të parandalojë përsëritjen e rasteve të tilla.

“Kështu që kisha dashur, secili prej neve me pa, duke e parë kështu që është një mundësi më e madhe sesa që e kanë komisionet e tjera, që me ndihmuar që shteti jonë me parandaluar, pra po thotë, rezolutën që e keni propozuar atë ditë, aty ka gjërat të cilat zakonisht edhe nuk janë pjesë e një komisioni hetimor, edhe kjo është një prej çështjeve të tjera që kisha dashur me e shtuar, domethënë ka një mori aktivitetesh, me rëndësi, po s’po zbeh që qëllimi ka qenë i mirë me parandaluar me ndodh prapë çka i ka ndodhur Arlindës”, shtoi ajo.

Të ngjashme