Shala kundërshton largimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca

Prishtinë | 09 Nën 2026 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, ka kundërshtuar vendimin për largimin e fotografisë së Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në Presidencën e Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Shala ka bërë të ditur se LDK-ja e konsideron këtë vendim të papranueshëm, duke vlerësuar se fotografia e ish-presidentit Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë nuk janë elemente dekorative, por simbole me rëndësi të veçantë historike dhe shtetërore.

Sipas Shalës, Ibrahim Rugova përfaqëson lëvizjen historike të shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran.

Ai ka theksuar se Presidenca, si institucioni më i lartë shtetëror, ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Në reagimin e tij, Shala ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.

Sipas tij, një veprim i tillë do të dëshmonte respektin institucional ndaj themeluesve dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

Të ngjashme