Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me familjen e Frank G. Wisnerit kanë shpalsur pllakën me emrin e rrugës “Frank Wisner”, raporton Ekonomia Online.
Paraprakisht në seancë në Kuvendin Komunal, Rama vlerësoi rolin e Wisnerit në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke theksuar se përmes përvojës dhe përkushtimit të tij diplomatik, ai u bë pjesë e rrugëtimit të vendit drejt pavarësisë.
“Frank ishte një njeri i tillë. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, ai i shërbeu Amerikës përmes diplomacisë dhe, përmes këtij shërbimi, u bë pjesë e historisë së Kosovës”, u shpreh Rama.
Ai tha se Wisner e kuptonte se pas çdo negociate diplomatike qëndronin njerëz të vërtetë, familje që dëshironin siguri për fëmijët e tyre, të rinj që ëndërronin mundësi dhe qytetarë që kërkonin të jetonin me dinjitet në shtetin e tyre.
Në ceremoni foli edhe vajza e diplomatit, Salina Wisner, e cila falënderoi institucionet e Prishtinës për nderimin dhe kujtoi lidhjen e veçantë që babai i saj kishte krijuar me Kosovën.

