Pacolli-Dalipi: Trajtimi i ujërave të zeza është rritur nga 1 në 11 për qind gjatë vitit 2025

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Trajtimi i ujërave të zeza në Kosovë është rritur nga 1 në 11 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa konsumi i qeseve plastike është ulur në 55 copë për banor në vit. Këto janë disa nga të dhënat që ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi, i ka prezantuar gjatë raportimit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025, në Komisionin për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, raporton Ekonomia Online.

Pacolli-Dalipi tha se raporti evidenton progres në disa fusha, por edhe ngecje që, sipas saj, kanë filluar të adresohen.

“Raporti, siç keni arritur ta shihni edhe ju, gjatë leximeve tuaja, tregon progres të matshëm për gjatë vitit 2025, por po ashtu evidenton edhe ngecje, të cilat ne, veçse kemi filluar t’i adresojmë. Progresi më i dukshëm mjedisor në Kosovë është shënuar me rritjen e trajtimit të ujërave të zeza, ku raporti evidenton që prej 1% ka arritur në 11%, dhe përmirësimet konkrete të para janë parë tek lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë. Pastaj, ulja e konsumit të qeseve plastike, po ja pra, kjo tregon që politika, e cila është ndërmarrë me i pagu qeset plastike, ka dalë me rezultat të mirë. Tani jemi para BE-së sa i përket asaj. Pra, për kokë banorit, ne përdorim 55 copë në vit, ndërsa në BE mesatarja është 66.6, kështu që kjo tregon që kemi arritë të kemi një rezultat pozitiv në këtë drejtim”, tha ajo.

Ministrja theksoi se cilësia e ujit të pijes është ruajtur në nivelin prej 98.75 për qind, ndërsa gjatë vitit 2025 nuk është regjistruar asnjë tejkalim i vlerave kufitare mesatare vjetore të cilësisë së ajrit, krahasuar me standardet e Bashkimit Evropian.

“Po ashtu, tek cilësia e ujit, pra, është ruajtur cilësia e lartë e ujit të pijes, që është 98.75%. Sektori i ajrit, gjatë vitit 2025, nuk është regjistruar asnjë tejkalim sa i përket vlerave kufitare mesatare vjetore, pra në krahasim me ato të BE-së. Përparim të rëndësishëm është shënuar edhe në politikat klimatike dhe mbrojtjen e natyrës. Pra, qeveria në atë kohë pat miratu kontributin e përcaktuar kombëtar. Këtë e kemi parasysh, është përcaktuar në mënyrë vullnetare, pra nuk ka obligim Kosova ta bëjë këtë. Dhe këtu objektivi është që të ulim gazrat serë deri në 16 pikë, prej 16.3% deri në 2030-ën”, tha ajo.

Pacolli-Dalipi foli edhe për zgjerimin e sipërfaqeve të mbrojtura, duke përmendur vendimet për mbrojtjen e malit të Moknës dhe liqenit të Ujmanit.

Ajo tha se sipërfaqja e mbrojtur ka arritur në 11.56 për qind, ndërsa objektivi i Bashkimit Evropian është 30 për qind.

“Pastaj është hartuar draft strategjia e përshtatjes së ndryshimeve klimatike dhe udhëzimet tjera mjedisore, udhëzimet tjera administrative dhe dokumentet tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit. Sa i përket mbrojtjes së natyrës, është marrë vendim pra në mbrojtje të malit të Moknës dhe liqenit Ujman, dhe kjo ka arritur sipërfaqen prej 11.56%, sa ka qenë diku 13%, dhe kjo është evidentuar në raportin e progresit, ku Kosova renditet e para në Ballkan sa i përket sipërfaqes së mbrojtur. Tani përkujtojmë që kriteri i BE-së është 30%. Është një rrugë e gjatë për të arritur deri aty, mirëpo me punë të përditshme dhe aktivitete, besoj që arrijmë. Duhet t’i evidentojmë zonat tjera të cilat duhet t’i mbrojmë, nëse synojmë të arrijmë 30% ashtu siç kërkohet”, tha ajo.

Ndërkaq, si një nga ngecjet e evidentuara në raport, ministrja përmendi rënien e numrit të gjobave nga inspektimet. Sipas saj, kjo lidhet me qasjen e ndjekur gjatë vitit 2025, kur fokusi ishte orientuar më shumë drejt monitorimit dhe parandalimit sesa masave ndëshkuese. Ajo tha se kjo qasje tashmë është ndryshuar, pasi nuk ka rezultuar me mbrojtje më të mirë të mjedisit.

“Kur vijmë tek ngecjet, pra, evidentohet edhe rënia e gjobave nga inspektimet, dhe kjo shpjegohet shumë qartë në raport, që është ka pasur një qasje të re sa i përket inspektimeve. Në këtë vit, pra, ministria ka besu që nëse orientohen më shumë drejt monitorimit dhe parandalimit, pra të aktiviteteve për mbrojtjen e mjedisit, në uljen e keqpërdoruesve apo keqpërdorimit të burimeve njerëzore. Pra, për këtë arsye ka pasur edhe më pak masa ndëshkuese. Deri më tani, ne e kemi ndryshuar këtë qasje, sepse e kemi parë që gjatë vitit 2025, me më pak masa ndëshkuese, me më pak gjoba, nuk ka rezultuar në mbrojtje më të mirë të mjedisit dhe kujdes më të shtuar sa i përket shfrytëzuesve të burimeve ujore”, tha ajo.

Të ngjashme