Katër persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, të cilat kanë njoftuar se ndalimi erdhi pas një serie veprimesh intensive hetimore.
Sipas prokurorisë, dy nga të ndaluarit, me inicialet N.S. dhe D.S., dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”, ndërsa M.P. dhe G.B. dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë bërë të ditur se janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e personave të ndaluar në veprat penale për të cilat dyshohen.
Ndërkohë, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar në bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.