Aksion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, arrestohen tre persona-sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, gjatë një aksioni policor të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Operacioni është realizuar më 25 nëntor 2026, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Në aksion kanë marrë pjesë hetuesit e Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, Njësitë Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, janë gjetur 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.

Sipas hetimeve preliminare, tre të dyshuarit dyshohet se përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Përmes kësaj skeme, viktimat dyshohet se janë vënë në lajthitje dhe janë shtyrë të ndërmarrin veprime që kanë dëmtuar pasurinë e tyre.

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe dokumentimit të dyshimeve për veprimtari kriminale.

Të ngjashme