Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar gjashtë vendime që lidhen me programin legjislativ, emërimet në pozita të larta drejtuese, korrigjimin e një vendimi të mëhershëm dhe ndarjen e mjeteve buxhetore.
Në kuadër të mbledhjes, Qeveria ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Programit të Projektligjeve për vitet 2026–2028.
Po ashtu, janë miratuar vendimet për emërimin e komisioneve të pranimit për kategorinë e lartë drejtuese për tri pozita institucionale:
Drejtor ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës;
Komisioner për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës;
Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe vendimi për korrigjimin e vendimit të Qeverisë Nr. 10/12, të datës 17 nëntor 2026.
Ndërkaq, një tjetër vendim ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve financiare për muajin nëntor 2026, në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe shtesa.