Nesër përfundon afati për paraqitjen e njoftimit për apelimin e vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Se do ta apelojnë vendimin kanë bërë të ditur avokatët e katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si të padrejtë.
Katërshja e UÇK-së u dënua nga Gjykata Speciale me një dënim të përbashkët prej më shumë se 80 vjetësh burgim.
Vendimi u prit me pakënaqësi në Kosovë, ku për disa net me radhë u organizuan protesta me moton “Jo në emrin tim”, në kundërshtim me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë kësaj periudhe u ngrit edhe çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nisma për ndryshimin e tij u votua në Kuvend, por më pas u kthye për rishqyrtim nga presidentja.
Ndërkohë, kjo nismë pati reagime të ndryshme, meqë u ngritën edhe shqetësime për përmbajtjen dhe gabimet e mundshme në ligj.
Në anën tjetër, edhe Prokuroria e Specializuar ka paralajmëruar mundësinë e apelimit të vendimit, por ende nuk është bërë e ditur nëse do ta kundërshtojë aktgjykimin.