Veteranët e UÇK-së bëjnë homazhe në Prekaz, qytetari kritikon Qeverinë për ikjen e të rinjve

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 11:29 | Nga Artiona Çitaku

Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga të gjitha viset shqiptare, të veshur me uniforma solemne, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nder të Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së heroit legjendar Adem Jashari, raporton Ekonomia Online.

Veterani i UÇK-së, Jeton Kuçi nga Kaçaniku, tha se në Prekaz kanë ardhur bashkëluftëtarë nga të gjitha viset shqiptare dhe nga formacionet e ndryshme çlirimtare.

Ai me këtë rast uroi shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, ndërsa theksoi se mungesa e liderëve çlirimtarë, të cilët sipas tij janë dënuar padrejtësisht, e zbeh këtë festë.

“Po, kemi ardhë me bashkëluftëtarë të gjitha viseve shqiptare, të gjitha luftimeve çlirimtare, duke përfshi prej Kosovës Lindore, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dhe njëherësh shfrytëzoj rastin t’ia uroj të gjithë shqiptarëve festën e flamurit. Pikërisht kjo e zbeh festën e madhe që e kemi, mungesën e liderëve çlirimtarë që e kemi të dënuar padrejtësisht, dhe shpresojmë që me apelin, me apelimin që do të jenë festa të tjera ata bashkë me neve këtu. Sepse jemi veteranë, uniforma solemne është enkas për këto ditë të veçanta që i kemi, po sot kemi festën edhe të flamurit edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari”, tha Kuçi.

Ndërkaq, qytetari Ajvaz Hyseni, përveç urimit për Ditën e Flamurit dhe ditëlindjen e Adem Jasharit, shprehu shqetësimin për largimin e qytetarëve, veçanërisht të rinisë nga Kosova.

Ai kritikoi qeveritë e vendit, duke thënë se nuk kanë punuar mjaftueshëm për të mirën e qytetarëve dhe bëri thirrje që institucionet të angazhohen për të ndalur shpërnguljen.

“Më së pari ua uroj gjithë popullit shqiptar Ditën e Flamurit, ditën e lindjes së komandantit legjendar Adem Jasharit, i cili ka dhënë kontributin më të madh për çlirimin e Kosovës, me familjen e tina. Njerëzit, i porosis të gjitha qeveritë e Kosovës që të punojnë për të mirën e popullit, mos të shpërngulen kështu. Janë tu u shpërngul populli, rinia, tu e lëshu vendin. Është tu mbetë vetëm pleq dhe plaka. Asnjë qeveri deri më sot nuk ka punu për të mirën edhe nuk është tu punu asnjë. E kisha këshillu kryesorin, kryeministrin, ose do të punojë ose të largohet. Se kështu populli është tu e lëshu vendin. Ne jemi në mërgim, prej ‘93-ës. Unë e ndjej dhimbjen për vendin tim. Po s’ke si kthehesh. Të gjithë janë tu e lëshu Kosovën, rinia, e është tu mbetë vetëm pleq dhe plaka”, tha Hyseni.

Ai përmendi edhe problemet me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit dhe shëndetësisë, duke e krahasuar sistemin shëndetësor në Kosovë me atë në Gjermani, ku jeton.

“Nuk kemi si kthehemi, se më së pari ligji nuk është kurrkund. Ligji, nuk respektohet ligji. Mjekësia është shumë larg atje ku ndodhemi ne. Ne ndodhemi në Gjermani. Shumë larg. Unë e kam shoqen, e kam sëmurë prej këmbëve. Kam qenë në spital të hënën. U dasht një gjysmë ore e tepër, 500 metra derisa e kam çu te spitali, brenda rrethit të spitalit. Kjo është mjeri. Barnat nuk gjenden, mjeku i shkruan, gjysma e barnave nuk gjenden fare hiç.”, tha Hyseni.

Të ngjashme